Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Miratohet kredia për menaxhimin e mbetjeve urbane të Sharrës. Kredia prej 6 milion eurosh e akorduar nga qeveria italiane, u përfshi nga polemikat në shtyp ditët e fundit për shkak se një gabim në përkthim përshinte në marrëveshje edhe importimin e plehrave nga jashtë.

Zyrtarët kanë shpjeguar se ky projekt nuk ka asnjë lidhje, me një tjetër projekt të një kompanie private italiane për importin e plehrave në Kashar. Kjo marrëveshje sipas tyre nuk parashikon asnjë lloj importi të mbetjeve urbane, qoftë edhe transportimin e mbeturinave brenda vendit.

Arben Dehmeti: “Do mbulohet thjesht me një dhe me materiale të marra diku në terrenin afër, sipas teknologjisë që do përdoret, për të mbuluar gropat ku do të jenë mbetjet urbane, mbi të cilat pastaj do të bëhet rehabilitimi i plotë. Këtu është një gabim i thjeshtë në përkthim, ndoshta ajo fjalë material i importuar mund të thuhej ndryshe”.

Edi Rama: “Ky projekt, nuk përfshin importimin e plehrave as nga Italia dhe as nga ndonjë vend tjetër, çka nënkupton as nga ndonjë vend tjetër brenda përbrenda Shqipërisë. Ky nënvizim ka qenë shumë i rëndësishëm, pas asaj gafës të quajtur gabim në përkthim. Për mua ai është një gabim në përkthim, i cili bën një gafë, sepse i ka shkaktuar marrëdhënieve me koperacionin italian, një debat të panevojshëm publik”.

Kjo marrëveshje do të kalojë në parlament pasi të konfirmohet zyrtarisht gabimi nga Ministria e Drejtësisë dhe ambasada italiane./tvklan.al