Konferenca e kryetarëve ka miratuar propozimin e ardhur një ditë më parë nga këshilli për legjislacionin për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të punojë për hartimin e draft-amendamentit kushtetues për kufizimin e imunitetit të funksionarëve.
Risjellja e kësaj çështje në qendër të politikës ka sjellë dhe reagime të ndryshme. Dy partitë e mëdha shfaqen në një mendje mbi një ndërhyrje në kushtetutë për kufizimin e mbrojtjes imunitare.
Ylli Bufi, i cili së bashku me Ilir Rusmalin janë përzgjedhur për të hartuar këtë draft-amendament, mohon të ketë marrëveshje mes dy partive të mëdha për këtë çështje, ndërsa shton se specialistët janë dakord për ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit, por me disa kushte.
Ylli Bufi: “Procedura që do të ndiqet është procedura që ne kemi modifikuar që kemi vendosur në rregulloren e parlamentit me propozim të Partisë Socialiste disa muaj më parë, ku kemi shtuar dy nene. Kjo procedurë parashikon së pari një afat kohor të mjaftueshëm qoftë për diskutimin në publik, qoftë edhe në marrjen e mendimit të të gjitha grupeve parlamentare. Është shumë e rëndësishme që ky problem të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë”.
Edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Patozi, duke përshëndetur vendimin e konferencës së kryetarëve pranon se për një ndërhyrje tjetër në kushtetutë pas atyre të bëra në 21 Prill duhet konsensus i gjerë parlamentar.
Astrit Patozi: “Ne sot kemi një lajm të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë sepse nisma apo sugjerimi i këshillit të legjislacionit tani mund të marrë udhë dhe ka garanci të nevojshme që në parlamentin shqiptar të arrihet një konsensus mundësisht gjithëpërfshirës.”
Ndërkohë ka qenë i ndryshëm qëndrimi i partive të vogla opozitare.
Ilir Meta: “Pavarësisht se Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur dhe ka qenë gjithnjë e gatshme për të vendosur imunitetin në dispozicion të drejtësisë përsëri ne shprehim rezervat tona për synimet reale të kësaj iniciative”.
Skënder Gjinushi: “Jemi totalisht kundër çdo iniciative për të ndryshuar përsëri kushtetutën, por mbi të tëra përsa i takon kufizimit të imunitetit dihet që kjo është një lojë e Berishës.”
Propozimi i demokratëve parashikon që imuniteti të kufizohet jo vetëm për parlamentarët, por edhe për gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të lartë që e gëzojnë mbrojtjen imunitare, propozim ky që ka ngjallur debate dhe kundërshtira në rrethin e gjyqtarëve./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka