Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Flamur Noka është shprehur se tanimë Partia Demokratike ka hyrë në një etapë të re. Gjatë fjalës së tij në prononcim për gazetarët, Noka ka thënë se pas bashkimit të demokratëve, PD ka misionin që të rikthejë votën e lirë. Po për t’u rikthyer vota e lirë, Noka shprehet se duhet një qeveri teknike.

Flamur Noka: Skenari i tij për të mbajtur demokratët në luftë me njëri-tjetrin sot mori fund. Sot, Këshilli Kombëtar në lartësinë e detyrës, arriti të përkthejë më së miri kërkesën e kahershme të demokratëve, por edhe një nga mesazhet kryesore të datës 20 Shkurt: Bashkimi është gjithçka për demokratët, dhe pas këtij vendimi për të unifikuar demokratët nga qendra në bazë, ne jemi në një etapë të re. Tashmë, të gjithë të bashkuar do të vërshojmë cep më cep të Shqipërisë për të justifikuar këtë besim dhe për t’i shpëtuar korrupsionit. Pas bashkimit të opozitës, kemi misionin historik të rikthehet vota e lirë. Ky është një mision historik i yni dhe që të rikthehet vota e lirë, do të duhet se s’bën një qeveri teknike. Shqipërisë duhet t’i rikthehet dhe vota, edhe liria, edhe demokracia.

Noka thotë se pa qeveri teknike, Shqipëria nuk mund të shkojë në zgjedhje.

Flamur Noka: Në traditën e PD-së, por edhe të demokracisë shqiptare, kryeministër bëhet ai që merr shumicën e votave. Sot nuk jemi forcë e dytë, por jemi forca e parë politike dhe ne do t’i mëshojmë shumë faktit që pa qeveri teknike, Shqipëria nuk mund të shkojë në zgjedhje. Ne nuk e kemi detyrë, por e kemi mision dhe do ta realizojmë, ashtu si bashkimin që deri pak më parë dukej e pamundur.

/tvklan.al