Lajme Arkiva 2003

Misioni i grupit “Miqtë e Shqipërisë” shumë shpejt do të deklarohet i mbyllur. Informacioni i rezervuar për komisionin e jashtëm parlamentar është bërë zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Letra që është dorëzuar në Kuvend në mesin e shkurtit të këtij viti, arsyeton se duke pasur parasysh hapat e rëndësishëm për stabilitetin e vendit  si dhe nënshkrimin nga Shqipëria për hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit, Ka lindur nevoja e ridimensionimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me disa prej misioneve dhe organizmave ndërkombëtar.

Në këtë kuadër thuhet në informacionin e rezervuar grupi “Miqtë e Shqipërisë” mund të dublikoj institucione të tjera politike dhe vendimmarrëse  ndërkombëtare duke konstatuar gjithashtu se jo rrallë, ky grup është kthyer në një organizëm i reflektimit të interesave të ngushta të pjesëmarrësve qofshin këto shtete apo organizata ndërkombëtare.

Prandaj thotë Ministria e Jashtme Shqiptare janë bërë përpjekje që misioni i tij të përfundoj. Për këtë qëllim është biseduar edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Greke që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe me atë Holandeze që kryeson OSBE-në është rënë dakord që misioni i këtij grupi të përfundoj.

Përfaqësuesit grekë janë shprehur dakord që së shpejti të zhvillohet një takim në rang amabsadorësh ku të deklarohet përfundimi i misionit të grupit të “Miqve të Shqipërisë” por ekziston një kërkesë e përsëritur e përfaqësive diplomatike në Tiranë sipas të cilave nuk duhet të ketë asnjë aktivitet të veçantë por vetëm një deklaratë ku të deklarohet mbyllja.

Debati për mbylljen e grupit “Miqtë e Shqipërisë” shpërtheu në Prill të viti të kaluar kur kreu i mazhorancës socialiste Fatos Nano, u deklarua nga Vjena për një konsumim të misionit që grupi “Miqtë e Shqipërisë” kishte marrë përsipër të realizonte, ide që u kundërshtua nga ambasadori i atëhershëm i OSBE në Tiranë Geert Ahrens./tvklan.al