Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Miss Shqipëria 2003 është kurorëzuar dje në mbrëmje në kalanë e Lëkursit në qytetin jugor të Sarandës, 19-vjeçarja nga Tirana Eriona Ibro. Ibro përveç jurisë arriti të bëjë për vete dhe teleshikuesit e TV Klan, që transmetoi drejtpërsëdrejti Miss Shqipëria 2003, duke fituar dhe çmimin Miss Televota, duke marrë shumicën e votave, që teleshikuesit kanë dhënë në numrin e telefonit të vendosur në dispozicion të çdo konkurrenteje.
Shoqëruesja e parë e miss-it u zgjodh Migena Kodra, po nga Tirana, ndërsa si shoqëruese të dytë, juria zgjodhi bukuroshen nga Saranda Arjona Milo. Por përveçse një konkursi bukurie, ai i natës së kaluar ka qenë dhe një spektakël i mrekullueshëm. Producenti dhe njëherësh regjisori Petri Bozo, për të drejtuar spektaklin kishte zgjedhur aktorin e njohur, që prej disa vitesh i kishte munguar publikut shqiptar Leonard Bombaj.
Në skenën e ndërtuar nga Bledar Gërxhalliu janë ngjitur emra të njohur të muzikës shqiptare dhe asaj të huaj, si Eda Zari, Saimir Braho, treshja Makashi, Gjoka, Deda, Valbona Mema, si dhe këngëtarja italiane Eliza. Konkursi i natës së kaluar shënoi dhe edicionin e 5-të të spektaklit Miss Shqipëria./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka