Me dhjetëra makina dhe qindra simpatizanë kanë shoqëruar kryetarin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Ilir Meta, nga Berati deri në Skrapar, ku ka zhvilluar një miting të madh me elktoratin e këtij qyteti. I shoqëruar nga deputetët Dizdari dhe Legisi, Meta është pritur me entuziazëm nga rreth 10 000 banorë të qytetit të Çorovodës. Meta ka deklaruar, nga qyteti i tij i lindjes, se nuk do të bëjë sehir kur një grup monopolistësh, siç janë ata që na drejtojnë aktualisht, ta çojnë vendin drejt një varfërie të skajshme.
Ilir Meta: “Nuk jemi të lodhur se nuk kemi ndër mend të shikojmë punën tonë dhe të bëjmë sehir se si një grup monopolistësh tallet dhe luan me Shqipërinë, me pronat e saj, me pasuritë e saj dhe me popullin e saj, se si në ditë zie kombëtare luajnë dhe tallen kabareve të botës. Ne jemi këtu për të përshëndetur mijëra e mijëra anëtarë të ndershëm të Partisë Socialiste, të tradhëtuar, të zhgënjyer dhe të harruar nga buzuqexhinjtë e sotshëm.”
LSI, tha Meta, do të vazhdojë të punojë për ta çuar vendin në Bashkimin Evropian duke përfaqësuar në Parlamentin Evropian interesat e të gjithë popullit shqiptar.
Ilir Meta: “Dua t’ju siguroj për vendosmërinë time për të vazhduar së bashku në ditë të mira dhe në ditë të vështira, për të përfaqësuar popullin e kësaj zone në Parlamentin e Shqipërisë deri në ditën kur e gjithë Shqipëria dhe ju do të hyni në Bashkimin Evropian. Atëherë jam i bindur se, edhe me pëlqimin tuaj dhe të gjithë Shqipërisë, unë do të shkoj në Parlamentin Evropian si eurodeputet i cili do të përfaqësojë vullnetin dhe aspiratat e të gjithë brezave që sakrifikuan për të bashkaur Shqipërinë me Bashkimin Evropian.”
Ndërsa deputetët Legisi dhe Dizdari thanë përpara banorëve të Skraparit se Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i kthejë besimin e humbur nga qeveria Nano socialistëve të vërtetë.
Ndre Legisi: “Do të ishte më e ndershme që ai njeri t’i premtonte Skraparit 8 km rrugë, të cilat janë të papërfunduar që nga koha kur Ilir Meta ishte kryeministër.”
Limoz Dizdari: “Qëllimi i Lëvizjes Socialiste është madhor dhe fisnik. Obligimet e saj janë akoma më të mëdha. Unë jam jashtëzakonisht i entuziazmuar dhe nuk më vjen fare turp të them që mitingu i madh filloi këtu në Skraparin e Ilir Metës.”
Pas mitingut të Çorovodës, deputetët Meta, Dizdari dhe Legisi janë zhvendosur në qytetin e Poliçanit ku kanë zhvilluar një takim me anëtarësinë e LSI-së në këtë qytet. /tvklan.al