Lëvizja “MJAFT”, një ditë pas çeljes së protestave për të ndarë turpin nga veprimet e kryeministrit, nuk është lejuar t’i vazhdojë tubimet simbolike përpra selisë së qeverisë. Kryeministria është fortifikuar me rreshta policësh të cilët nuk kanë lejuar në anët e saj të lëvizin të rinjtë e “MJAFT”-it. Këtë herë, pas parrullës ‘Turp’, është marrë përsipër të lahet flamuri nga njolla e vënë prej veprimeve të kryeministrit. Performanca këtë herë kishte të bënte me legenë e detergjentë të rrobash e shkumosje pranë selisë së qeverisë.
Erjon Veliaj: “Ishin njolla në identitetin tonë kombëtar. Ishte turp për mua si shqiptar të takoja miq kosovarë pas asaj përgjigjeje që kryeministri e qeveria jonë i dhanë. Besoj që është e drejtë që ministri i Transporteve të japë dorhëheqjen, ashtu siç kanë kërkuar disa deputetë socialistë, megjithatë kjo nuk duhet të na anashkalojë nga ajo që është një problem tjetër parësor, që qeverisja nga një kyreministër krejtësisht i papërgjegjshëm. Ajo që nuk duam të ndodhë është që nuk duam të akuzohemi si një popull që e ka memorien e shkrutër, si një popull që thotë ky është skandali i radhës dhe ne do t’i durojmë. Momentalisht, në qoftë se duam vërtet të integrohemi, nuk duhet të rrimë dhe të duartrokasim fjalimet pa fund për integrim, por duhet të tregojmë se integrimi fillon te secili qytetar.”
Nisma do të jetë deri në fundjavë. Të tjera ide goditëse rreth papërgjegjshmërisë së drejtuesit të vendit pritet të shpalosen pranë godinës së qeverisë, por edhe duke kërkuar edhe të tjerë qytetarë. Policia ka reaguar pas këtij bllokimi që i bëri tubimit të lëvizjes “MJAFT”. Justifikimi: ish-frika ndaj akteve terroriste.
“Aq më i domosdoshëm bëhet respektimi i ligjit në kushtet e luftës kundër terrorizmit dhe informacionet e fundit që kemi marrë për aktet ndaj institucioneve të ndryshme të shtetit, si ndaj Kryeministrisë, Presidencës dhe Parlamentit. Ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve për të respektuar kërkesat e ligjit për tubimet. Jemi të angazhuar për të zbatuar me përpikëri të gjitha procedimet ligjore të tubimeve dhe të zbatojmë pa hezitim ligjin për ata që duan ta shkelin atë.” /tvklan.al