Shumë shpejt të gjithë mjekët do t’i nënshtrohen një testimi mbi kualifikimin e tyre. Mjekët që nuk arrijnë të certifikohen do të largohen nga puna.
Kjo deklarohet nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili u shpreh se mjekët që kanë lënë librat nuk mund të ofrojnë shërbim për pacientët.
Petrit Vasili: “Njerëz të pakualifikuar dhe pa nivelin e duhur të dijeve për të ofruar shërbim shëndetësor, sigurisht nuk do të kenë më vend në sistemin tonë. Ky kualifikim i detyrueshëm i vazhduar do të jetë pjesë e kontratave të punës tashmë në mënyrë ligjore dhe tërë ata që nuk do të plotësojnë këtë pjesë të certifikimit të dijeve të tyre në një periudhë kohe të caktuar, sigurisht do të shkohet më tej me ndërprerjen kontratave të tyre dhe hapjen vend të tërë mjekëve të kualifikuar të cilët ofrojnë shërbim cilësor ndaj pacientëve.”
Do të jetë qendra e edukimit të vazhdueshëm e cila me anë të dokumentit bazë të miratuar do të bëj certifikimin e bluzave të bardha në vend.
Kërkesat mbi kualifikimin dhe dijet e mjekëve do të jenë të veçanta për çdo sistem atë primar, në spitalet rajonale dhe qendrore.
Petrit Vasili: “Pjesë e kontratës do të jetë dhe mënyra sesi verifikohen dijet e tyre, nuk është thjesht dhe vetëm në një provim. Do të vlerësohen dijet e tyre pjesëmarrja në aktivitete e mëdha shkencore ajo që performojnë në mënyrë të përditshme, pra është një sistem vlerësimi kompleks, jo vetëm me një element, por që në fund na thotë qartë që ky mjek e ka kualitetin e duhur për të shërbyer apo nuk e ka atë.”
Këtij vlerësimi i cili pritet të nis brenda vitit do ti nënshtrohen të gjithë ata që operojnë në sistemin shëndetësor shqiptar si mjekët ashtu edhe infermierët stomatologët apo farmacistët./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami