Nga studio e emisionit “Opinion”, mjekja toksikologe, Amarda Gashi, tregoi arsyet pse një pse një person mund të fillojë të konsumojë drogë. Ajo u shpreh se përgjithësisht njerëzit e përdorin për shkak të kuriozitetit, monotonisë, problemeve në jetë apo dhe dëshira për të rritur përqendrimin e performancën.
“Ky fenomen konsiderohet si një sjellje sociale më tepër se sa një gjendje e rrezikshme shëndetësore. Kështu konsiderohet nga shoqëria. Pasi përdoret droga, njerëzit marrin një efekt intoksikues që në termat e substancave psikoaktive quhet si “high”, ajo euforia e famshme që ka, mirëqenie dhe pjesa tjetër. Kjo është arsyeja pse këta persona e konsumojnë. Tani arsyet mund të jenë disa se mund të jetë kurioziteti, monotonia, dëshira për t’u shmangur nga problemet e jetës, mund të jetë një dëshirë për të rritur përqendrimin, performancën, kreativitetin, meditimin, ka shumë arsye pse një person të përdorë drogë. Ndonjëherë edhe për të qenë pjesë e grupit”, tha Gashi.
Por a është i dëmshëm përdorimi i drogës?
Mjekja toksikologe tregoi se ka disa arsye që e bëjnë të dëmshme përdorimin e drogës. Kjo varet nga niveli i varësisë, por sipas Gashit, abuzimi me to është i rrezikshëm.
Mjekja theksoi se njerëzit që abuzojnë me lëndët narkotike kanë shumë mundësi që të kenë çrregullime të sferës psikiatrike.
“Nuk është se ka një dozë të caktuar të drogës, e cila është e sigurt. Nuk është se është një lloj i testuar medikamenti i testuar, ose një lloj tablete. Nuk e dimë efektin real që mund të ketë tek trupi i një personi. Nuk e dimë, një person që fillon drogën, në çfarë niveli varësie krijon. Ngelet abuzim, varësi, intoksikim dhe pastaj kuptohet trupi i personit, e kaluara e tij etj. Ka shumë arsye që e bëjnë të dëmshme apo jo përdorimin e drogës. Abuzimi substancor në përgjithësi është i rrezikshëm. Përveç kësaj ka një prevalencë shumë të lidhur edhe me çrregullimet psikiatrike. Në përgjithësi njerëzit që abuzojnë me substancat narkotike kanë një predispozitë më të madhe që të kenë çrregullime që i takojnë sferës psikiatrike, që fillojnë nga ato të humorit, kryesisht depresioni, çrregullime të personalitetit dhe çrregullime të tjera psikotike. Paranojat e kokainës janë të njohura”, tha mjekja toksikologe./tvklan.al