Felaj: Nëse ka konsumuar drogë, të largohet
Lefter Alla i tha prokurorisë një ditë më parë se nuk është ai personi që shfaqet në një video dhe që pretendohet se po konsumon lëndë narkotike. Këtë qëndrim, ai ia ka shprehur edhe mazhorancës që e kandidoi si kryetar Bashkie në Bulqizë, por Partia Socialiste po pret përgjigjen e SPAK-ut për të vendosur. Taulant Balla paralajmëroi reagim të ashpër nëse ndaj Allës do të ngrihen akuza.
Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare Ermonela Felaj u shpreh gjithashtu se Alla duhet të largohet nëse provohet që ai po merr kokainë.
“Nëse dikush thyen rregullat e punës nuk meriton që ta ushtrojë më këtë funksion. Ka lidhje me gjestin dhe të qenit përdorues, nuk përshtatet me detyrën e funksionarit publik. Rasti konkret është duke u hetuar SPAK”, tha ajo.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit e pyeti të enjten Lefter Allën në prani të avokatit të tij mbrojtës, për 1 orë e 20 minuta, në lidhje me videon e bërë publike nga gazetari Artan Hoxha.
Ai ka mohuar gjithçka dhe ka thënë se është shantazhuar prej 1 viti nëpërmjet një videoje të tillë. Gazetari Hoxha, që po ashtu u pyet nga SPAK, insistoi se në video është kryebashkiaku i Bulqizës.
SPAK i nisi hetimet kryesisht për veprën penale “Mbajtje të substancave narkotike”, sipas nenit 283, që parashikon burg gjer në 10 vjet, por jo për ata që janë përdorues.
Tv Klan