Moti i keq është rikthyer në shumë zona të vendit ku temperaturat në disa qytete kanë arritur nën zero gradë. Në Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Dibër nuk kanë munguar as reshjet e dëborës.
Në orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës kanë përfshirë pjesën më të madhe të jugut të vendit duke shkaktuar edhe problemet e para. Në Qafën e Muzinës në orët e para të ditës qarkullimi ishte i vështirë pa zinxhirë. Në komunën e Zogorit dëbora arriti në 20 cm trashësi. Reshje dëbore ka patur edhe në Kurvelesh të Tepelenës e në Frashër të rrethit Përmet. Edhe në këto zona qarkullimi i mjeteve pa zinxhirë ka qenë i pamundur, ndërsa në Gjirokastër, vështirësi janë krijuar në rrugët e brendshme të qytetit.
Edhe rajoni i Korçës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore dhe stuhi duke i ulur temperaturat në -2 grad celsius. Në qytet trashësia e dëborës i ka kaluar të 15 cm, ndërsa në zonat malore është nga 30-40 cm, në segmentet Plloçë-Grabovicë, Qafë Thanë, Qafë e Qarrit lëvizja e automjeteve kryhet vetëm me zinxhirë. Ndërsa akset Voskopojë-Lekas dhe Boboshticë-Dardhë, janë të pa kalueshme. Patrullat e policisë së qarkullimit nuk lejojnë asnjë mjet të lëvizë pa zinxhirë.
Aksi rrugor Tiranë-Elbasan, në lartësinë e Qafë Krrabës është i gjithi i bllokuar. Gjendja është përkeqësuar pasi borëpastrueset nuk arrijnë të hapin rrugën për shkak të reshjeve të dendura të dëborës trashësia e së cilës ka arritur 50 cm. Më keq situata paraqitet pas kilometrit me dhjetëra mjete kanë mbetur të bllokuar. Ndërsa policia rrugore po ndihmon pasagjerët.
Në qytetin e Peshkopisë trashësia e dëborës ka arritur në 15 cm, ndërkohë akset rrugore janë të kalueshme normalisht, me përjashtim të Qafës së Buallit ku deri tani ka rënë mbi 20 cm dëborë e shoqëruar me erë të fortë. Shumë komuna të qarkut janë të bllokuara dhe lëvizja e automjeteve kryhet vetëm me zinxhirë./tvklan.alGazetare: Brunilda Cami