Reshjet e shiut shoqëruar me erë të fortë kanë përfshirë gjithë territorin këtë të premte. Intensiteti i lartë i shiut në Durrës bëri që disa rrugë të përmbyten. Për shkak të motit të keq, porti i Durrësit ka anuluar lundrimin e trageteve për te premten nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas.
Në kryeqytet, era dhe shiu kanë shkaktuar rënie pemësh dhe degësh në disa zona. Kryebashkiaku Veliaj njofton po punohet për normalizimin e situatës.
Në bashkinë e Shkodrës shkëputja e këtij masivi të madh shkëmbor në aksin rrugor Prekal-Kir ka bllokuar qarkullimin e automjeteve. Probleme raportohen edhe në bashkinë e Lezhës. Prej ditës së djeshme është pezulluar lundrimi nga porti i Shëngjinit.
Era e fortë është bërë shkak për difekte në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Rajone të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin, janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike.
Autoritetet njoftojnë se po punohet për riparimin e dëmeve. Sinoptikanët thonë se fundjava do të sjellë reshje dëbore dhe temperatura të acarta. Java e ardhshme do të ketë një përmirësim të lehtë.
Sakaq, Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes maksimal e të kufizojnë shpejtësinë në rrugë. Pas qetësimit të reshjeve gjatë mbrëmjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se situata po shkon drejt normalizimit.
Tv Klan