Shumë rajone të vendit janë përfshirë që prej mbrëmjes së djeshme nga reshje të dendura dëbore të shoqëruara me ngrica gjatë natës dhe temperatura nën 0 gradë celsius. Më problematike situata mbetet në juglindje të vendit, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm.
Gazetarja: “Këtu ndodhemi në superstradën në rikonstruksion Korçë-Pogradec, ku qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë për shkak të sasisë së madhe të dëborës e cila i ka kaluar 20 cm”.
Në akset Korçë-Ersekë dhe Korçë-Kapshticë, kalimi i automjeteve është bërë vetëm me zinxhirë. Policia e qarkullimit rrugorë ka shtuar patrullimet ndërkohë që vështirësi janë hasur në autostradën në ndërtim Korçë-Qafë Plloçë.
“Vështirë është, vështirë është nga ngrica po avash, avash bëhet çdo gjë”.
“Rruga që në Kapshticë e deri këtu për të ardhur keq, shumë keq”.
Adriatik Huti: “Më keq situata paraqitet në aksin e ri që po ndërtohet ku firmat ndërtuese nuk kanë marrë as edhe një lloj mase për sa i përket hapëse me borëpastruese ose e vendosjes së kripës ose skorieve”.
Segmenti i Qafë-Krrabës në aksin Tiranë-Elbasan është bllokuar vetëm në orët e para të mëngjesit pas punës së borëpastrueseve dhe hedhjes së skories. Policia rrugore i ka rekomanduar kalimin e automjeteve me zinxhirë në këtë aks.
Reshje dëbore ka patur edhe gjatë paradites edhe në rajonin e Gjirokastrës me disa probleme në Qafën e Muzinës. Autoritet greke në zonën e Janinës gjatë pasdites kanë ndaluar udhëtimin e automjeteve drejt Shqipërisë për shkak të stuhisë së dëborës dhe bllokimit të aksit Janinë-Kakavijë.
Në veri të vendit mbeten problematike akset nacionale Peshkopi-Klos dhe Kukës-Qafë Morinë ku trashësia e dëborës ka arritur në 10 cm. Probleme ka patur edhe në komunat Arrëz-Shishtavec e Bushtricë ku temperaturat kanë zbritur në -3 gradë celsius./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro