Prej disa ditësh shumë zona të vendit po përballen me mungesën e theksuar të energjisë elektrike. Qytetarët thonë se janë rikthyer kufizimet, ndërsa drejtues të sistemit të shpërndarjes e argumentojnë ndërprerjen e energjisë me kryerjen e remonteve.

Gazetarja: “Rajoni i Korçës është përfshirë nga kufizime të thella të energjisë elektrike që për qytetin variojnë 4-5 orë në ditë ndërsa për zonat rurale 5-6 orë. Drejtues të OSSH-së thonë se kufizimet e energjisë elektrike janë rezultat i rritjes së konsumit nga ana e qytetarëve në këto ditë të ftohta dimri, çka ka sjellë dhe mbi ngarkesë të rrjetit”.

“Po bën 6 orë e gjysmë. Ne çuditemi asnjë njoftim nuk japin, asgjë prej gjëje”.

“Si ja bëjmë, ditën ja kshu punojmë me bombol, me zjarre. Pastaj me qiririn në gjysmë orë të natës”.

“Paguajmë sikur e kemi të plotë dhe nuk e dimë se ku vete kjo energjia që mungon”.

“S’ka grafik fare, njëherë paradite, njëherë pasdite”.

Një situate e ngjashme është edhe ne rrethin e Lushnjës ku kufizimet shkojnë në ore të tëra.

“Njoftime nuk ka. Ndez gjeneratorin, ja me këtë po kalojmë që mbajmë të freskëta ushqimet”.

“Kemin rreth 1 javë që na ikin, nga ora 20:30-21:00, edhe deri nga ora 01:00-01:30 deri në 02:00”.

Sali Murrizi: “Nga kompania nuk kemi njoftim për kufizime, por ne kemi plan remontesh nëpër kabina dhe ky është i programuar dhe i miratuar”.

Edhe në Shkodër kryerja e remonteve ka lëne pa drita një pjesë të madhe të qytetit, por edhe zonat e thella malore.

“Thonë remonte, remonte. Po s’ka remonte përditë e orë për orë, nga 8 orë janë tu na lonë pa drita”.

“Kemi 3 ditë pa energji”.

Nesti Kiri: “Në kuadër të reagridimit që po thonë të këtij rrjeti, Shkodra vazhdimisht është duke pas ndërprerje disa orëshe të energjisë elektrike. Me rritjen e ngarkesave të këtyre ditëve të fundit, ne kemi bërë në orën 20:00 të darkës, kemi bërë ndonjë ndërprerje për efekt të mbingarkesës dhe për ruajtjen e pajisjeve”.

Ardhja e stinës së dimrit dhe ulja e temperaturave kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë, çka mund të shtojë edhe me shumë orët e kufizimeve nga sa është parashikuar në grafikun e remonteve./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Montazh: Ergis Hasanbelli