Fieri, Berati dhe Korça janë disa prej qarqeve ku Partia Socialiste ka denoncuar këto ditë parregullsi në aplikimin për kartat e identitetit. Duke patur si shqetësim mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, përfaqësuesit e opozitës akuzuan Ministrinë e Brendshme dhe shërbimin postar për vonesa të qëllimshme në shpërndarjen e listave të zgjedhësve dhe kuponave me çmim 200 lekë.
Kastriot Islami: “Situata duket alarmante dhe ritme të pa mjaftueshme për të garantuar pajisjen me letërnjoftim të gjithë votuesve pa pasaporta”.
Damian Gjiknuri: “Shumë zyra postash i nxjerrin probleme qytetarëve të cilat akoma nuk kanë filluar ta zbatojnë vendimin e qeverisë megjithëse ai ka 10 ditë që ka dal”.
Por këto denoncime duket se nuk korrespondojnë me realitetin. Me kamerën tonë ishim në komunën Mollaj të Korçës, e përmendur në deklaratat e të majtëve si një prej zonave ku është refuzuar shpërndarja e kuponëve të rinj.
“Po, ja tashi po presim ta marrim”.
Gazetarja: Sa do ta marrësh?
“Duhet të paguaj 2000 lekë unë si pensionist”.
“Po e mora sot, 2000 lekë, e mora te posta ”.
Gazetarja: Keni pasur probleme?
“Jo”.
Daniela Zisi: “Prej disa ditësh, të gjithë ata qytetar që nuk kanë një pasaportë dhe që e kanë emrin në listat e zgjedhësve, janë duke i blerë kuponat me një çmim prej 200 lekë”.
Deklaratat e bëra një ditë më parë nga krerët lokalë të së majtës në qytetin e Fier për parregullsi në të dhënat personale të shtetasve të pajisur me kartë, janë quajtur abuzive nga autoritetet e qarkut dhe drejtuesit e gjendjes civile që mbikëqyrin procesin.
Shahin Bejtaj: “Nuk ka asnjë të drejtë të thotë që janë djegur aplikimet apo janë fshirë aplikimet dhe aq më tepër ta politizosh këtë, sepse kjo kategori që ka aplikuar nuk është se i përket vetëm PS apo partive të opozitës. Po ato janë qytetar të Fierit që mund t’i përkasin të gjithë partive”.
“Për ata persona që nuk kanë pasaportë-kartë, kuponi i kartës identitetit jepet 200 lekë”.
“Jo nuk kisha problem, e mora sot edhe të nuses ka dalë”.
“Jo, jo fare, fare. Unë hera e parë që erdha edhe e mora dhe po iki”.
Edhe në Berat ku një nga drejtuesit e Partisë Socialiste e vlerësoi situatën si alarmante përsa i përket shpërndarjes së kuponave me vlerë 200 lekë, aplikimi i tarifave të reja ka më shumë se një javë që ka nisur.
Mirela Bumbi: “Udhëzimi ka ardhur në datën 5, puna ka filluar që në datën 6. Ky është mandati i parë i prerë në zyrën Qendër Berat. Për këtë gjë ne na kanë ardhur dhe listat nga Ministria e Brendshme të cilat i kemi printuar, kanë ardhur me disqe dhe ua kemi shpërndarë zyrave në qytet, nëpër komuna, në degët tona Kuçovë e Skrapar të gjitha me radhë”./tvklan.al