Zona e cila shtrihet përgjatë liqenit të Prespës së Madhe, është gati të presë vizitorët e sezonit veror.

Oferta e pasur turistike e zonës, u ekspozua përmes një panairi ku ndërthurej tradita kulturore dhe historike me kulinarinë e veçantë.

Numri i vizitorëve që zgjedhin Pustecin për të pushuar është rritur vit pas viti. Operatorët turistikë presin një sezon veror të mbarë, pasi rezervimet për muajt e verës janë mbyllur.

Lupço Angjelovski, operator turistik: Kemi një rritje diku te 30-40 përqind në vit, sivjet presim një rritje akoma edhe më të madhe sepse është bërë shumë publicitet, gatimet janë shumë të mira siç mund të shikoni edhe vetë është diçka që ja vlen ta shikoni.

Veç pushuesve ditorë vendas, të cilët nuk mungojnë gjatë gjithë vitit, zona mbetet e preferuar sidomos për vizitorët e huaj, kryesisht gjermanë.

Lupço Angjelovski, operator turistik: Ke të Ballkanit që janë nga Maqedonia, nga Greqia, nga Kroacia, ka patur nga Turqia, edhe shumica tjetër është nga Gjermania, Franca, Spanja.  

Interesi i lartë i të huajve për Pustecin ka angazhuar bashkinë të investojë për të përmirësuar infrastrukturën, duke i bërë të arritshme atraksionet natyrore dhe kulturore të zonës.

Pali Kolevski, kryetar i Bashkisë Pustec: Planifikojmë ndërtimin e një vendi i cili do t’u shërbejë gjithë turistëve që vijën me rulotë, me gjëra domethënë që ne t’u ofrojmë atë infrastrukturë minimale e cila dëshirohet nga turistët, me furnizimin me energji elektrike me ujë edhe me le të themi banja publike të cilët do t’u shërbejnë këtyre.

Shtimi i vizitorëve që zgjedhin Pustecin për të pushuar dhe nevoja për njësi akomodimi, ka rritur interesin e banorëve të zonës për të kthyer shtëpitë në bujtina.

Klan News