Mungesa e dhuruesve vullnetarë të gjakut nga njëra anë dhe fluksi i madh i pacientëve që kanë nevojë për të nga ana tjetër, ka çuar në krizë Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Lushnje.
Të sëmurët talasemikë trajtohen sipas një grafiku të veçantë, që u lejon atyre marrjen e gjakut jo më shumë se dy herë në muaj.
Nuk kanë qenë të pakta rastet kur ata janë kthyer mbrapsht për shkak të pamundësisë për tu trajtuar.
“Ka që vij dy tre herë në muaj se nuk gjej. Dje për shembull kanë ikur shumë njerëz nuk kanë marrë. Ja dhe sot që kemi ardhur që në mëngjes nuk po marrim dot, akoma s’kemi gjetur.”
“Kishim rreth një muaj e gjysmë, dy që nuk merrnim. Ata e kishin të nevojshëm para një jave nuk kishte, morën mbrëmë na thanë hajeni sot.”
“Po ngaqë nuk kishte burri ka dhënë tre herë për çunin.”
Rezervat që ndodhen aktualisht në bankën e gjakut ruhen vetëm për raste emergjente.
Sipas drejtuesve të spitalit, kjo sasi futet në përdorim pas përpunimit që i bëhet në laboratorët e kryeqytetit.
Mehmet Xhindoli: “Për momentin kemi shumë pak gjak, dje na ka sjellë diçka dhe Fieri, rreth 10 ampula. Por kërkesat janë shumë më të mëdha se sa mundësitë tona për ti plotësuar. Çdo talasemik duhet të bisedojnë dhe me mjekët dhe mjekët bisedojnë dhe me ne që të lejmë një ditë të caktuar për të marrë gjak, ndryshe kur vijnë të pa përgatitur kthehen.”
Shumica e dhuruesve të gjakut i përkasin komunitetit rom dhe shumë pak familjarëve të të sëmurëve. Mungesa të theksuara në sigurimin e gjakut kanë edhe spitalet e tjera të rretheve, si ai i Fierit, Shkodrës e Beratit./tvklan.al