Rama: Në vjeshtë ligj i ri, administrimin e merr shteti
Operacioni i Policisë së Shtetit për lirimin e hapësirave publike në plazhe ka vijuar edhe në fundjavë. 12 biznese u proceduan penalisht, nga të cilat në 9 në Velipojë dhe 3 në Pogradec për zënie të hapësirave publike, por edhe për fshehje të të ardhurave.
Fenomeni i zënies së hapësirave publike në plazhe ka marrë edhe vëmendjen e kryeministrit Rama i cili në një reagim në rrjetet sociale thotë se kjo gjendje duhet të marrë fund.
Edi Rama, Kryeministër: Pushtimi i plazheve publike dhe rrumpalla në administrimin e plazheve e të territorit bregdetar në tërësi nga njësitë vendore, duhet të marrë fund. Beteja e Policisë së Shtetit dhe inspektorateve qendrore, qysh nga fillim Korriku, po ndikon në përmirësimin e situatës, por nuk mjafton.
Kryeministri thotë se për këtë do të hartohet një ligj duke ua hequr bashkive të drejtën e administrimit të vijës bregdetare.
Edi Rama, Kryeministër : Në vjeshtë në Kuvend, LIGJI I RI për mbrojtjen dhe administrimin e Vijës Bregdetare nga shteti. Kjo pasuri kombëtare i takon POPULLIT dhe pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie; nga tregtarët që nuk lëshojnë kuponat, tek harbutët që zaptojnë plazhet dhe deri tek zyrtarucë shtetërorë e pushtetarë vendorë, të cilët në vend të detyrës ndaj vendit dhe pushuesve, u bëjnë qoka dëmtuesve e zhurmuesve. Zero tolerancë ndaj abuzuesve nuk është moto fushate, por linja e re e qeverisjes deri në fund dhe në çdo drejtim.
Për lirimin e hapësirave publike në plazhe është e angazhuar edhe Task Forca e turizmit që ka ngritur si shqetësim mosangazhimin e disa njësive të pushtetit lokal.
Tv Klan