Këto janë pamjet që mund t’i ndeshësh lehtësisht në shumicën e qyteteve tona.
Fëmijët e shkollave e kanë të pamundur që të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën për shkak të trafikut kaotik dhe mungesës së sinjalistikës rrugore.
Nga një vëzhgim që bëmë me kamerën tonë në disa qytete konstatuam se nxënësit e shkollave janë të rrezikuar seriozisht nga aksidentet rrugore.
Në Shkodër tabelat e vendosura për orientimin e nxënësve dhe drejtuesve të mjeteve mungojnë prej kohësh në rrugë dhe trotuare.
Agron Kastrati: “Bashkia duhet të reagojë edhe me mjete të tjera rrethanore sepse është një rrugë kryesore që mund të venë bume plastike ose mjete të tjera parandaluese në mënyrë që të kemi sa më pak ose mos të kemi aksidente.”
Në Peshkopi muajt e fundit kanë ndodhur tre aksidente me pasojë vdekjen, ku viktima kanë qenë edhe fëmijët.
Ilir Krosi: “Struktura jonë e policisë bashkiake është e pakët me tre policë dhe këto tre policë nuk mund të mbulojnë gjithë këto shërbime. Ne pra u kemi kërkuar policisë rrugore që këto probleme të trafikut t’i mbulojë policia rrugore.”
Në Durrës përveç mungesës së tabelave disa shkolla nuk kanë as mure rrethuese, çka shumë herë i kthen oborret në parkingjet për makinat.
“Kemi frikë se makinat ecin me shpejtësi”.
“Kemi frikë se edhe makinat mos shikojmë dhe të na shkelin”.
Vangjush Dako: “Besoj se në fund të muajit apo në fillim të muajit që vjen do të kemi vendosur gomat e kufizimit të shpejtësisë në të gjithë rrugët kryesore të qytetit dhe aq më tepër atje ku janë shkollat.”
Në Korçë rrugët nuk kanë asnjë sinjalistikë për fëmijët e shkollave, ndërsa në Lushnjë dhe Fier ky problem ekziston prej vitesh.
Në Tiranë ku trafiku i automjeteve është edhe më i rënduar në shumë raste zgjidhja e vetme është kujdesi që duhet të tregojnë vetë nxënësit ose prindërit e tyre.
Edhe pse në disa shkolla ekzistojnë sinjalet dhe tabelat janë drejtuesit e automjeteve që nuk i respektojnë ato.
Brunilda Cami: “Fëmijët e kësaj shkolle për të ikur në shtëpi apo për të ardhur nga shtëpia në shkollë janë të detyruar të kalojnë përmes një trafiku të çmendur pasi nuk ka asnjë tabelë që të njoftojë ato se tani mund të kalojnë apo gjithashtu të ndalojë shoferët e automjeteve që të kalojnë në momentin që nxënësit duhet të dalin apo të hyjnë”./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami