Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Eduard Shefkiu, myftiu i Durrësit deklaron, se do të padisë në prokurori drejtuesit e lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Shefkiu në deklaratën e tij pretendon se Myftinia e Durrësit i ka dërguar kryesisë së KMSH, ofertat e firmave të ndërtimit të Durrësit, të cilat ofrojnë kuota shumë më të larta për Komunitetin Mysliman.

Por reagimi i drejtuesve të këtij komuniteti, ishte i tillë që hidhte poshtë dërgimin e ofertave nga Myftinia e Durrësit, madje ata kanë publikuar një kontratë të vitit 1997, e lidhur mes Myftinisë së Durrësit dhe një firme ndërtimi, ku gjendej edhe emri i Eduard Shefkiu. Myftiu aktual i Durrësit pretendon se kjo përbën një shpifje falsifikim dokumentacioni dhe hapi i mbetur është padia në organet e drejtësisë.

Myftiu Eduard Shefkiu:- “Akuza të cilat unë i ngrita, do të bëhen kundër kryesisë së Komunitetit Mysliman, përkatësisht sekretarit të përgjithshëm të KMSH dhe dy nënkryetarëve të KMSH, zotit Zylyftar Dervishi, zotit Selim Stafa dhe zotit Ermir Gjinishi, për shpërdorim detyre, shpifje botërisht dhe falsifikim dokumentacioni”.

Para dy ditësh, myftiu i Durrësit reagoi ndaj një vendimi të kryesisë së KMSH, që i akordonte një firme ndërtimi nga Fieri të drejtën e shfrytëzimit të një trualli prej 8 mijë metrash katrorë në qytetin e Durrësit. Trualli që përfshin sheshin para godinës së Albtelecomit është pronë e Myftinisë së Durrësit dhe pas investimit, kjo e fundit do të merrte 15% të objektit./tvklan.al