Kjo 28-vjeçare nga qytetit i Durrësit është një prej vajzave të besimit mysliman që nuk pranon t’i nënshtrohet procesit të aplikimit për karta identiteti.
Orjeta Bulku sikundër dhe mjaft vajza të tjera të këtij besimi thotë se feja nuk u lejon fotografimin pa perçe. Por ajo rrezikon penalitetet e parashikuara në rast të mos aplikimit. Pasi autoritetet e kanë bërë të qartë se fotografia në letërnjoftime apo pasaportat biometrike duhet të jetë e qartë, si një element kyç për sigurinë e këtyre dokumenteve.
E gjendur mes respektimit të ligjit dhe besimit të saj, 28-vjeçarja mësuese në Medresenë e vajzave në Durrës zgjedh këtë të fundit.
Orjeta Bulku: “Shamia për të gjithë besimtaret myslimane është një obligim. Një veprim me të cilën ajo iu bindet Zotit dhe gjen kënaqësinë në të. Është një e drejtë e garantuar me kushtetutë besimi fetar dhe zbatimi i obligimeve fetare nga të gjithë nënshtetasit shqiptar. Dhe si rrjedhojë besoj se komunitetet tona fetare do të gjejnë rrugët e zgjidhjes dhe për këtë problem. Kuptohet dhe pa prekur dhe cenuar sigurinë.”
Gazetare: “Juve personalisht do e hiqni shaminë vetëm për një fotografi?”
Orjeta Bulku: “Nuk mendoj se duhet të jetë vetëm kjo zgjidhja apo alternativa përpara çdo myslimaneje shqiptare. Më përpara mbeten rrugëzgjidhje, mbeten për tu parë mirë qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë edhe nga komunitetet tona fetare, ne ç’masë duhet të jetë kjo alternativë kaq e ngushtë përpara besimtareve shqiptare.”
Vetë përfaqësuesit e komunitetit mysliman e quajnë një të drejtë të ligjshme aplikimin në këtë formë.
Agim Duka: “Përsa i përket çështjes së fytyrës në momente të cilët janë momente decizive. Siç është pra fotografimi për këtë rast për kartë ID apo për pasaporta pra duhet që të zbulohet fytyra. Nuk po them që të zbulohet koka se shamia është shami do me thënë kjo përfaqëson identitetin e gruas myslimane. Ndërsa fytyra them që duhet të zbulohet edhe kjo është kush edhe përsa i përket në fenë islame dhe kjo është një diçka të cilën pra zbatohet edhe sot në botën islame, qoftë në vendet arabe, apo qoftë edhe në Turqi.”
Refuzimi i kësaj kategorie të komunitetit për të mos marrë pjesë në një proces të ligjshëm të detyrueshëm, është një nga paradokset e shumta vetëm të shoqërisë shqiptare. I njëjti fenomen është konstatuar edhe në vende të tjera të BE-së si Franca apo Italia. Ku atyre grave e vajzave që kanë refuzuar heqjen e perçes u është refuzuar pajisja me dokument identifikimi./tvklan.al