Qeveria u vendos një kufi prej 10% drejtuesve të qeverisjes lokale për vendosjen e taksë mbi biznesin e vogël. Ndryshe nga disa ditë më parë kur paralajmëroi këtë iniciativë të qeverisë që drejton, kryeministri Sali Berisha solli një shembull konkret të asaj që e cilësoi abuzim në kurriz të biznesit të vogël. Ai lexoi një mesazh të mbërritur në celularin e tij ndërsa tha se disponon plot një dosje me ankesa të kësaj natyre.
Sali Berisha: “Fitimi vjetor neto më thotë biznesmeni është 540 mijë lekë . Ndërkohë bashkia e Tiranës me sjell vlerësimin tatimor prej 870 mijë lek, shto këtu drita e ujë vjetore që më shkojnë 250 mijë, qiranë që kam për të paguar, taksat e tjera, unë mbetem vetëm ti ve drynin dyqanit tim. Si ky janë të shumtë, taksa dhe tarifa mund ti quaj ç’të dojë nuk do ketë më të drejtë të vendosë më shumë se 10% të taksës së biznesit të vogël. Paralajmërimi i dytë shumë serioz organi tatimor qendror të shqyrtojë çdo ankesë me një taks-forcë të veçantë çdo ankesë të biznesit të vogël.”
Kryeministri tha se biznesi i vogël përbën gjeneratorin e punësimit në vend me minimalisht 200 mijë vetë të punësuar. Ai solli në kujtesë vendimin e hershëm të qeverisë, që përgjysmoi taksat dhe uli ndjeshëm qiratë që rezultonin siç dhe citoi, më të larta se në disa vende të BE.
Sali Berisha: “Rezultoi se qiratë e mjediseve publike për biznesin e vogël në Tiranë jepeshin absolutisht më shtrenjtë se sa në Vjenë, në Paris apo në Londër. U detyruam këtij qëndrimi klasist ndaj borgjezisë së vogël që lindte nga doktrina t’ia vejmë kufirin tek thana dhe përcaktuam tarifën 1 euro/m2 .”
Rritjen e pensioneve dhe pagave në 1 maj, kryeministri e cilësoi po aq një masë në ndihmë të biznesit të vogël, duke dhënë këtë argumentim.
Sali Berisha: “ Është një rritje shumë e ndjeshme e fuqisë blerëse e së paku 800 mijë familjeve shqiptare . Është e pabesueshme, e pa konceptueshme që të sulmohet ky akt në vend që të përgëzohet. Duke sulmuar këtë akt veçse dëshmohet se alternativë e vetme është mjerimi.”
Në mbledhjen e qeverisë kryeministri sqaroi skemën e qeverisë për rimbursimin e kategorive të qytetarëve, që përfitojnë subvencion për kartat e identitetit. Ai dha porosi të qarta për kryetarët e komunave të blejnë kuponat për qytetarët që marrin ndihmë ekonomike. Të njëjtën praktikë do të ndjekin dhe universitetet.
Sali Berisha: “Qeveria do të shtojë në ndihmën ekonomike të muajt që vjen në përputhje me faturat që do sjellin të gjithë shumën e përdorur për blerjen e kuponëve dhe do u mbahen vetëm 2 dollar në ndihmën mujore ekonomike. Do kenë subvencionin 10 mijë lekë të vjetra, studentët do dorëzojnë 2 mijë lekë dhe do paraqesin kartën e ID për tu futur në provim. Për pensionistët e fshatit dhe pensionet minimale të qytetit edhe këta do paguajnë vetëm 2 mijë lekë.”
Për të gjithë ato kategori që përfitojnë subvencion dhe që nuk blejnë kartat e reja të identitetit kryeministri paralajmëroi sanksione. Mbledhja e qeverisë miratoi dhe ligjin për financimin e bashkësive fetare. Të mërkurën qeveria mori vendim ti paguaj shpenzimet për shkollim të gjithë studentëve shqiptar që pranohen në 10 universitet më të mira të botës.
Studentët që do të përfitojnë nga kjo nismë e qeverisë shqiptare do të kenë detyrim të kontribuojnë në Shqipëri për një periudhë 7 vjeçare./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi