Autoriteti i Konkurrencës pranon keqfunksionimin e tregut të karburanteve në Shqipëri, por në hetimin e ndërmarrë nga ky autoritet nuk do të përfshihet vetëm çështja e çmimit të vendosur nga grosistët.
Pjesë e hetimit do të jenë të gjitha strukturat shtetërore të funksionimit të këtij tregu. Duke folur për Televizionin Klan në lidhje me vlerën e tregtimit të karburanteve, që rezulton dukshëm më e lartë se ç’duhet të ishte në realitet, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, zonja Lindita Milo, thotë se përfundimet e këtij hetimi nisur që prej pranverës së këtij viti, do të shpallen brenda pak javësh.
Lindita Milo: “Çmimet janë një mekanizëm që shpreh, reflekton diçka dhe shkon në themel të problemit. Përse firmat sillen apo kanë praktikantë konkurruese në treg? Në radhë të parë vërteton nëse ka, në radhë të dytë shikon se kush janë mekanizmat e tjerë që këtu mund të jenë funksionimet e institucioneve qeveritare apo shtetërore në mirëfunksionimin e tregut. Do të jetë pikërisht detyra ku ne do të zhvillojmë të gjithë procedurat e transparencës derisa të finalizojmë vendimin tonë”.
Parregullsitë e konstatuara nga Autoriteti i Konkurrencës do të shoqërohen me gjoba të cilat parashikojnë 2 deri 10% të xhiros vjetore të kompanive. Në rregullimin e funksionimit të këtij tregu është përfshirë edhe drejtoria e metrologjisë, përfaqësuesit e së cilës flasin për një mënyrë tjetër abuzimi, atë të vëllimit.
Adrian Batusha: “Është vërejtur që pra në masën më të madhe vlerat janë minus, që do të thotë këto instrumente japin më pak ose poshtë kufirit zero, ndërkohë që do ishte normale të konstatoheshin pistoleta që japin edhe minus, por që japin edhe plus, të gjitha kuptohet brenda tolerancës së lejuar. Për 10 litra karburant është 50 mililitra. “
Tregu shqiptar i karburanteve përllogaritet në disa qindra milionë euro në vit.
Pjesë e mirë e këtyre fitimeve rezultojnë abuzive, pasi çmimet nuk reflektojnë aspak uljen drastike që vijon të njohë ari i zi në bursat ndërkombëtare.
Aktualisht nafta duhej të tregtohej jo më shumë se 95 lekë për litër, por në tabelat e pikave të pakicës çmimet vijojnë të qëndrojnë lart, ndonëse karburantet janë të një cilësie të dobët, elemente që konstatohen çdo dite nga konsumatorët e që rëndojnë direkt mbi ta.
“Për turp cilësia, për turp sasia, për të gjitha. Edhe çmimi është në qiell. I joni është cilësia e tretë në Greqi, edhe D1 dhe D2.”
“Çmimet nuk bien”.
“Për sasinë po, cilësia po dihet kështu që keq e më keq”.
“Abuzime ka sa të duash, cilësia nuk është e mirë, gjithashtu trafiku normalisht që…”.
Gazetari: Ku e shikoni që s’është cilësi e mirë?
“Po nga tymrat që dalin, sikur harxhohet dhe shumë shpejt.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro