Grevistet në Ballsh kanë reaguar menjëherë pas ftesës së Ramës që iu bënte thirrje naftëtarëve të uleshin në dialog. Ato janë shprehur për mediat se nuk i besojnë fjalëve të kryeministrit pasi janë bërë të gjithë të pabesueshëm. Një prej grave në grevë u ka bërë thirrje Ramës dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku, që të vijnë t’i takojnë aty ku po qëndrojnë.
“Të gjitha shoqet nuk besojmë më tek kryeministri se ka ardhur vetë këtu në uzinë me Damian Gjiknurin dhe na ka premtuar që do të merrni lekët kokërr më kokërr. Ka tre vjet e gjysmë. Ku i ka lekët? Është bërë i pabesueshëm. Me gënjeshtra me mashtrime nuk rrojnë fëmijët tanë. Fëmijët tanë duan bukë, duan ujë duan dritë. Jetojnë si në Mesjetë”, tha një greviste,
“Kryeministri është bërë i pabesueshëm. Në 2017-n erdhi vetë këtu përballë neve, përballë jush gazetarëve tha do të merrni lekët, do të derdhen shoqërimet sigurore. Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Po nuk kaluan lekët në llogari bankare nuk tërhiqemi. Pastaj negociojmë se nuk kemi një kërkesë, kemi dy kërkesa. Negociojmë për rifillimin e punës”, u shpreh një tjetër.
Më herët përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama u bëri thirrje naftëtarëve që të ndërpresin grevën. Ai u shpreh se qeveria e tij është e ndjeshme ndaj problematikave që ka shfaqur rafineria e Ballshit dhe se ai është i gatshëm të bisedojë me ta, por jo duke bërë presione dhe ultimatume./tvklan.al