Nga kjo e enjte askush nuk mund të futet në ambientin ku ata qëndrojnë

11 ditë nga nisja e grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit kanë vendosur të mos lejojnë më askënd të futet në ambientet ku ata qëndrojnë.

Vendimin ekstrem naftëtarët e morën, pasi sipas tyre, instancat shtetërore dhe drejtuesit e kompanisë azerbajxhanase kanë injoruar çdo kërkesë që ata kanë parashtruar.

Veç ndërprerjes së kontakteve me mediat, 10 grevistët nuk kanë lejuar as ekipin mjekësor apo autoambulancën të kryejnë kontrollin për shëndetin e tyre.

Ata thonë se do të dalin nga aty vetëm me barrelë si një formë për të treguar vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund çështjes së tyre.

Naftëtarët ndodhen në greve urie për pagat e papaguara të 900 naftëtarëve, me vlerë rreth 8 milionë euro.

Tv Klan