Rama: Lajm i mirë, gati për të biseduar

Në ditën e 25-të të grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit japin sinjale pozitive për t’u ulur në dialog me qeverinë. Naftëtarët kanë rënë dakord ta ndërpresin grevën ditën e hënë për të parë mundësinë e zgjidhjes së kërkesave të tyre.

“Është biseduar me gratë greviste dhe ideja e  tyre është që t’i japim një mundësi takimi…por shpresëplotë që do të zgjidhen qëllimet tona”, tha Sokol Dautaj, kreu i sindikatës së naftëtarëve.

“Jam për dialog, të vij kush të dojë nga qeveria negociatorët tonë janë gati. Ne nuk jemi këtu për politikë, ne jemi për bukën e gojës. Nëse ne do jemi sërish pa një zgjidhje unë do të vdes këtu”, tha një greviste

“Në qoftë se do të biem në kompromis, patjetër që ne do e lemë”, tha një tjetër.

Ky vendim është mirëpritur nga kryeministri Rama, i cili e ka quajtur këtë një lajm të mirë.

“Lajm shumë i mirë mbyllja e grevës në Ballsh! Më vjen keq për kaq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju”, tha Rama.

Naftëtarët e Ballshit kërkojnë të gjejnë një zgjidhje për shlyerjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë, në të kundërt do të vijojnë edhe më tej me grevën e urisë.

Tv Klan