Gjithçka që veprojmë brenda një dite të tërë, mendimet, kujtimet e ndjesitë që përjetojmë, ikin me grisjen e fletës së kalendarit, e cila shënon një ditë të re. Por, artistja Najada Hamza, e vëmendshme ndaj ekzistencës së saj, është intriguar nga veprimet e thjeshta ose jo, të një 24 orëshi nga jeta, për të na i rrëfyer artistikisht me një ekspozitë të çelur në mjediset e ambasadës Gjermane.

Zonja Hamza ka stilizuar me anë fotografish, qelqit, instilacione bashkëkohore, që evokojnë fëmijërinë, pemën gjenealogjike të familjes, dashurinë për kujtimet, dhe historiken, të para me një sy analitik.   

Najada Hamza: “Megjithëse shpesh herë mendojmë që në një ditë nuk bëjmë asgjë dhe nuk e vlerësojmë ditën, mendova që të marr e të shkruaj, të gjitha veprimet që unë kryej, mendimet e ndërgjegjshme, apo të pandërgjegjshme dhe pastaj të reflektoj mbi to dhe ishte shumë bukur sepse pashë që në 24 orë unë gati-gati përmbyllja ciklin e jetës. Ato imazhe të sjellin fëmijërinë, dhe ai është fakt që lidhet me pemën e jetës, ku unë vendos të flas për familjen time. Marr një tullë të qelqtë dhe nën të vendos fotografi, tulla e qelqtë krijon një iluzion optik interesant, i bën ato fotografi më të çmuara dhe në të njëjtën kohë ato ngrihen mbi njëra tjetrën me idenë që përveç pemës së familjes ne ngremë nja strukturë jete, me gjyshërit, me stërgjyshërit, me ne bashkë, me fëmijët tanë.” 

Në ekspozitën e titulluar “28 Maj”, artistja dhe pedagogia e atelierit të tekstilit dhe fashion dizajnit ne Akademinë e Arteve të Bukura, Najada Hamza ua rrëfen edhe miqve të saj përjetimet e kësaj dite./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani