Kryeministri Fatos Nano i është drejtuar prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku në një letër ku kërkon fillimin e hetimeve në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale mbi të gjitha deklarimet e deputetit Nikollë Lesi në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas shefit të ekzekutivit, kryerja në kohë dhe me profesionalizëm i hetimeve përbën kontributin e kërkuar ligjërisht në funksion të zbardhjes së të vërtetës për të gjitha argumentet dhe implikimet që kërkohen në deklarimet e Lesit.

Si kryeministër, Fatos Nano angazhohet, në letrën drejtuar kryeprokurorit, se do të përmbushë të gjithë detyrimet ligjore që sigurojnë respektimin e parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës. I pyetur nga gazetarët nëse do të përballet me drejtësinë, kryeministri Nano deklaroi:

Fatos Nano: “Unë dhe drejtësia jemi të gjithë përballë akuzave të Lesit në parlament.”

Kryetari i mazhorancës i është drejtuar dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për kontrollin e zbatimit të procedurave ligjore dhe nënligjore në lidhje me mënyrat e mbledhjes dhe sigurimin e informacionit si dhe përdorimin e teknikave të kontrollit fizik dhe elktronik për periudhën e ‘97-’98-ës. /tvklan.al