Në Korçë u inaugurua tregu modern i shitjes me shumicë të fruta-perimeve, ku mes autoriteteve lokale dhe kryeminsitri Nano shijoi produktet e ofruara. Tregu ka një siprfaqe prej 1.2ha dhe ndërtimi i tij është financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore me një vlerë prej 800 000 euro. Kryeminsitri Fatos Nano, gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, vizitoi ambientet e shkollës “Themistokli Gërmenji”. Ai u dhuroi gjimnazistëve tre libra mbi kulturën e Voskopojës si dhe 4 kompjutera ku programet dhe aplikimi në internet do të financohet nga buxheti i shtetit.
Karta e Bolonjës ku Shqipëria aderon është sot pasaporta evropiane e dijes dhe nesër e punësimit tuaj në të katër anët e kontinentit, u tha kryeministri Nano gjimnazistëve korçarë. Shefi i ekzekutivit zhvilloi në Korçë një takim dhe me kryetarin e Bashkisë Robert Dhamo, përfaqësues i Partisë Demokratike.
Mësohet se kryebashkiaku i Korçës i ka ka kërkuar kryeministrit lëvrimin e fondit prej 400 000 dollarësh pasi janë kryer me kohë tenderat, por përgjigjja e shefit të qeverisë ishte se Bashkia e Korçës nuk i ka sjellë buxhetit të shtetit 700 000 dollarë nga mosvjelja e taksave.
Fatos Nano: “I dashur Robert, ju vazhdoni të pretendoni se mungojnë apo janë ngrënë 410 000 dollarë amerikanë apo 41 mln lek nga qeveria qendrore. Është një rast për t’i trajtuar dhe kontekstet publikisht. Më rezulton se nuk mund të ndodhë kjo gjë dhe prandaj nuk është lejuar të ndodhë, aq më pak për ndonjë ndëshkim elektoral. Është krijuar një gep i justifikueshëm për shkak të humbjes së pak kohe në lubrifikim mekanizmash politikë për bashkinë e re në mbledhjen e të ardhurave fiskale lokale prej gati 700 000 dollarësh.”
Kryeministri dha këtë deklaratë ndërsa prezantoi biznesmenin Niko Peleshi si prefektin e ri të qarkut te Korçës, gjatë një takimi të zhvilluar me intelektualët. Kryeministri u ndal në investimet e qeverisë për qytetin e Korçës duke përmendur investimet në ujësjellësit e qytetit, në sistemin e furnizimit me energji elektrike në nënstacionin e Zëmblakut, superstradën Korçë-Kapshticë etj.
Korça numëron 27 sipërmarrje private, ndërsa gjithë investimet private në qark kapin shifrën e 17 mln dollarëve. Kryeministri Nano u njoh dhe me studimin gjeo-hartografik paraprak të rrugës prej 55 km, pjesë e rrugës Gramsh-Maliq, hartuar nga Prefektura e Korçës. Në komitetin drejtues të Partisë Socialiste në Korçë, kryeministri Nano shpërndau teserat ndaj të anëtarësuarve të rinj mes të cilëve dhe prefekti i qarkut Niko Peleshi, i sapoprezantuar në këtë detyrë nga kryeministri. Në fjalën e mbajtur, shefi i ekzekutivit nxiti çdo nismë për hapjen e strukturave të partisë ndaj çdo individi apo sipërmarrje që sjell alternativa dhe progres.
Fatos Nano: “Sa më shumë njerëz të ditur, njerëz që janë të respektuar për shkak të protagonizmit në fushat themelore të kulturës dhe të dijes të afrohen me ne, aq më të përgatitur me konkurrues dhe më pak konfliktualë do të jemi në familjen tonë të madhe socialiste të hapur për progresin. Në një shoqëri të hapur demokratike edhe gratë konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe partitë mund të konkurrojnë më mirë nëse aktivizojnë në drejtim dhe përfaqësim gjysmën, madje pak më tepër se gjysmën më të mirë të shoqërisë, në qoftë se jemi dakord që secili gruas së vet i thotë ‘kjo është gjysma ime më e mirë’. Ne na mungon gjysma më e mirë në Partinë Socialiste, se shoqet janë pak. Kur janë shoqet pak, burrat detyrohen të ndajnë një byrek më të vogël, kjo është historia që unë u them aleatëve.” /tvklan.al