“Mendoni në mënyrë globale dhe veproni në mënyrë lokale”, me këto fjalë u është drejtuar kryeministri Fatos Nano studentëve që kanë nisur sot vitin akademik. Së bashku me kryetarin e parlamentit, ministrin e Arsimit, Ekonomisë e të tjerë dekanë fakultetesh, pedagogë dhe studentë të të gjithë brezave kanë qenë sot prezent në fakultetin ekonomik.
Me fillimin e shkollës është inauguruar edhe godina e re. Kryeministri Nano këtu ka përfunduar studimet e larta, por e ka mjaft të vështirë të gjejë ato auditore, banka e tryeza të dikurshme. Kryeministri Nano ish-student dhe pedagog i këtij universiteti ka përshëndetur brezat e pedagogëve që kanë kontribuar në përgatitjen e brezave të rinj të financave dhe ekonomisë.
Fatos Nano: Vërsnikët e mi, të cilët dua t’i falenderoj dhe t’i përgëzoj që vazhdojnë të jenë bijë të këtij fakulteti, që vazhdojnë të jenë të lidhur me këtë fakultet, sepse fare mirë brezi i pavdekshëm i pedagogëve më të cilët unë çmallem sot mund të ishin dhe politikanë, dhe qeveritar dhe ambasador dhe përfaqësues të Shqipërisë në botë dhe në institucionet financiare ndërkombëtare ku tashmë, punojnë konkurrojnë dhe janë shumë të nderuar rreth 27 të diplomuar nga Fakulteti i Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Unë besoj se ju e dini që duhet të na zini vendet dhe meqenëse sot fillon një vit i ri shkollor unë do ju uroja angazhimin e duhur, vlerësimin e duhur dhe grindën e duhur.
Vitin e ri shkollor n ë11 universitete dhe shkolla të larta në të gjithë vendin do ta ndjekin 110 studentë. Sipas drejtorisë së arsimit të lart në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave kjo shifër përfshin edhe fituesit e kuotave dytësore. Regjistrimi për afatin e fundit të pranimeve të tyre do të vazhdojë deri në datën 4 Tetor, por në Fakultetin e Shkencave shkolla pritet të nisë në 7 Tetor, një javë më vonë se të tjerët, pasi s’ka përfunduar ende plotësimi i kuotave dytësore dhe regjistrimet./tvklan.al