Rama: Respektoni masat e ndërmarra, rastet do shtohen

Lëvizja nga Kodrat e Liqenit në Tiranë apo çdo hapësirë tjeter rekreacioni në vend do të ndalohet si masë për të penguar njerëzit që qëndrojnë në grupe duke u bërë burim i shpërndarjes së COVID-19.

“Mund t’i mbajmë dritaret hapur gjatë gjithë ditës për ajrosjen e shtëpisë dhe të fikim ajrin e kondicionuar, që mos e harroni është një problem më vete në këtë luftë. Por kjo s’do të thotë të dalim xhiro familjarisht siç ka ndodhur dje dhe edhe sot nga Liqeni i Tiranës, ku vërtetë nuk kishim shumë njerëz si zakonisht në një mot të tillë, por mjaftueshëm për të cënuar rregullat e mbrojtjes individuale. Apo për shembull buzë Liqenit të Shkodrës, ku mbrëmë ishte sikur jemi në një kohë pushimesh dhe jo në një kohë lufte. Nuk kemi kohë për të vazhduar me sensibilizime sepse çdo orë është kritike për forcimin e vijave të mbrojtjes individuale dhe kolektive. Prandaj do të ndalojmë menjëherë frekuentimet në zonën e Parkut të Liqenit në Tiranë dhe në të gjitha zonat kreative në çdo qytet”.

Në videomesazhin e përditshme nga shtëpia e tij Kryeministri kërkon respektim të masave të vendosura duke paralajmëruar se numri në ditët dhe javët e ardhshme do të vijnë në rritje.

Sot kemi 38 persona të identifikuar pozitivë, prej të cilëve 12 janë të shtruar në spital, 2 prej tyre janë në reanimacion dhe një 65 vjeç mbahet me frymëmarrje të drejtuar nga aparatura. Më e keqja s’ka ardhur akoma. As që nuk dua t’ju fus frikën që të zbatoni rregullat, por kam detyrë t’ju informoj. Të ndaj me ju çdo të vërtetë që ekspertët ndajnë me mua në kohë reale, por ama nuk ju them asgjë të pa aprovuar paraprakisht prej tyre. Përhapja e koronës është e pashmangshme”.

Për të përballuar tensionin dhe stresin e krijuar nga qëndrimi në shtëpi dhe mungesa e aktivitetit fizik, Rama ka kurën e tij që e ndan me ndjekësit në rrjetet sociale.

“Sa më shumë të durosh, aq më pak të plagosur dhe viktima do të numërosh në javë, dhe largqoftë për ne, edhe në ditë. Prandaj miq, durim, durim, durim! Dhe meqë po rrijmë të tërë nëpër shtëpi dhe po luftojmë secili me ato zakonet e jetës së përditshme duke ngrënë veten për të mos bërë gjërat që jemi mësuar të bëjmë, duke u përpjekur të përfitojmë edhe pozitivisht nga disa të mira të kësaj të keqeje të madhe, po ju tregoj një nga gjërat që po bëj unë. Ushtrime frymëmarrjeje joga të thjeshta dhe ushqim vetëm në harkun e 8 orëve. Dy vakte me 16 orë agjërim. E kam me provë që është super për trupin dhe për mendjen. Kush të dojë në shtëpi jemi, le ta provojë dhe do më japë të drejtë”.

Tv Klan