Partia Socialiste e mbështetur nga disa subjekte të tjera jo kuvendore ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për marrëveshjen e shelfit kontinental, që përcakton kufijtë detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Depozitimi i këtij ankimimi që sipas partive nënshkruese përfshin mungesën e transparencës, atë të konsultimeve si dhe mungesën e hartës gjeografike. Është depozituar në gjykatën Kushtetuese nga socialisti Saimir Tahiri.

Sajmir Tahiri: “Sapo depozitova kërkesën e partive nënshkruese me anë të të cilës ato formalizojnë vullnetin e tyre për ti kërkuar gjykatës Kushtetuese shqyrtimin e pajtueshmërisë së kësaj kërkese në gjykatën Kushtetuese. Është një marrëveshje e cila i ka munguar transparenca në fazën e negocimit dhe në fazën e nënshkrimit. Është një marrëveshje gjerësisht e kontestuar publikisht nga zërat më të rëndësishëm të opinionit publik të ekspertëve të pavarur. Ndaj si e tillë është një marrëveshje që ngre të gjitha dyshimet e arsyeshme për të kërkuar nga gjykata kushtetuese shqyrtimin e pajtueshmërisë së saj. Pra është kushtetuese kjo marrëveshje apo jo.”

Kërkesa e hartuar nga ekspertët e PS-së, e vë theksin tek ajo që në selinë rozë nëpërmjet kësaj marrëveshje cenohet pavarësia territoriale e Shqipërisë, duke i kaluar hapësirë detare shtetit helen.

Ndërkaq ministria e jashtme nëpërmjet kreut të saj Ilir Meta, nismës më të fundit për anti-kushtetueshmëri të PS-së, i është përgjigjur me argumentin se kjo marrëveshje nuk cenon aspak sovranitetin territorial të Shqipërisë dhe se për këtë çështje ka keqinterpretime.

Depozitimi i kërkesës për anti-kushtetueshmëri të marrëveshjes së nënshkruar pak muaj më parë në Tiranë nga ish-Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ajo greke Dora Bakojanis erdhi pas tryezës javën e shkuar.

Kryesocialisti Edi Rama organizoi me parti të djathta e të majta jo parlamentare./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro