Arrestohen 5 persona, 2 shpallen në kërkim
26-vjeçari Indrit Çelaj, i cili u plagos me plumb në kokë paraditen e të enjtes, nuk ka mundur të mbijetojë. Ai ka ndërruar jetë këtë të premte në Spitalin e Traumës, ku qëndronte në gjendje kome.
Policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi. Këta dyshohet se kanë qëlluar mbi të riun pasi kanë patur pakënaqësi për mënyrën e kondicionimit të viles, kati i parë i së cilës do të behej lokal.
Hetimet zbuluan një skenar për të mbuluar vrasjen dhe fshehur autorët e vërtetë. Në pranga fillimisht përfunduan babi i dy autorëve të dyshuar, Bujar Kusi, si dhe Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka. Mbi ta rëndon akuza e “Moskallëzimit të krimit” dhe pengimi në zbulimin e së vërtetës.
Sipas policisë, vëllezërit Kusi kanë ndërmjetësuar me një 27-vjeçar, të njohurin e tyre, që të merrte përgjegjësinë e krimit. Ky person ishte në kërkim nga policia për një vepër tjetër penale. Por ai u ndalua nga policia dhe rrëfeu të gjithë skenarin.
Vëllezërit Kusi janë emra të njohur për policinë. Ata janë gjykuar për akuzat e vrasjes dhe tentativës së vrasjes.
Familja e të riut Indrit Çelaj ka hapur dyert e mortit në fshatin Ngraçan të Mallakastrës. Tregojnë se lajmin e morën vesh nga media.
“Kjo është fatkeqësi e madhe këtu në Shqipëri. Ti nisesh për punë dhe kthehesh i vdekur. Çuni është vrarë në orën 11:00 paradite, unë e mora vesh në orën 19:00, në darkë. Nuk dinte të ofendonte as shokë, as njërin, as tjetrin. Vete në punë, ai të merr jetën… “
Babai i tij, mes lotësh tregon se Indriti nuk ka qenë njeri problematik dhe se punonte prej kohësh me montimin e kondicionerëve.
Tv Klan