Teodor Laço nuk jeton më. Shkrimtari ndahet nga jeta pak ditë pasi festoi datëlindjen e 80-të, si pasojë e një sëmundjeje që prej dy javësh e mbajti të mbërthyer në spital.
Todi siç e thërrisnin miqtë, më një diplomë në bujqësi, për të cilën punoi si agronom për një periudhë të shkurtër në vendlindje, Korçë, do t’i përkushtohej letrave në fillim viteve 60-të.
Në fushën e letërsisë, veprat e tij do të përbënin një zgjedhje të preferuar për lexuesit që më tregimin “Malaji” e deri në romanin e fundit “Gropas 67”, botuar në 2014.
Në gjithë krijimtarinë e tij, Teodor Laço, krijoi karaktere të çdo kohe, e disa prej tyre u mishëruan edhe në prodhime të Kinostudios Shqipëria e Re, si “Përballimi” “Shi në plazh” e shume pelikula të tjera.
Ai lëvroi edhe publicistikën mes dhjetëra romaneve, novelave e tregimeve, disa të përkthyera në tetë gjuhë të botës. Pas viteve 90, Teodor Laço, u angazhua në jetën politike, duke shërbyer si deputet, Ministër i Kulturës, ambasador në Rusi, si themelues i Partisë Social Demokrate nga e cila u shkëput për të krijuar një parti atë që sot njihet si Bashkimi Liberal-Demokrat.
Në zgjedhjet presidenciale të 2007 Teodor Laço ishte një nga kandidatët. I vlerësuar më disa çmime, ai, mban urdhrin “Naim Frashëri i klasit të parë” dhe “Çmimin e Republikës”. Largimi nga bota e të gjallëve është një humbje e një personaliteti që la gjurmën e tij në letërsi, kinematografi dhe politikë./TV KLAN