Jam kundër artit të angazhuar, por pro artistit të angazhuar. Këtë frazë shkrimtari dhe publicisti i njohur Kim Mehmeti, që shkruan në dy gjuhë, duket e ka moton e tij në krijimtarinë e vet artistike e publicistike.
“Fara e Bimës së keqe” është vepra e tij e re publicistike e botuar nga Toena, që përmbledh artikuj të publikuar në të përditshmet në Shqipëri dhe Kosovë, shkrime që e dallojnë atë si një shkrimtar antikonformist.
Kim Mehmeti: “Aty nuk është Kimi krijues, është Kimi ai që mundohet ta kryejë obligimin e vet qytetar. Të thotë ndonjëherë atë që nuk kanë mundësi. Duhet të mundohemi të jemi një korrigjues i vogël i asaj që ndodh në politikën ditore, mos tua lëmë të tërën politikanëve, mos tua lëmë se ne ndonjëherë edhe kur flasim keq për ata edhe kur rrëfehemi dhe kur kritikojmë ne dëshmojmë për paaftësinë tonë. Ne dëshmojmë për atë se ata u treguan aq të gjindshëm, aq të shkathët, aq të fortë sa që morën çdo gjë në dorë. Kam frikë se ndonjë ditë ata do të bëhen edhe recenzentë të librave tonë.”
Ali Aliu: “Kur do të thotë ndonjë mendim jashtë regjionit të vet, kur do të bëjë ndonjë vërejtje edhe për Tiranën edhe për Shqipërinë edhe për tërësinë arbërore. Këtë e bën në mënyrë të sinqertë, drejtpërdrejt, pa kalkulime dhe ka guximin që të prekë plagën atje ku dhemb më së shumti.”
Si polemizues i vendosur dhe i bindur të jetë gjithnjë vetvetja, Kim Mehmeti mendon se gazetari profesionist është i tillë kur lajtmotiv ka të vërtetën dhe integritetin e tij./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani