Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ndërtuesit paralajmërojnë rritje të çmimit të banesave mbi 20% për vitin e ardhshëm, nëse qeveria vendos aplikimin e taksës së tvsh mbi shitjen e ndërtimeve. Burime nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve konfirmuan, se një taksë e tillë po merret parasysh për t’u përfshirë në paketën fiskale për vitin e ardhshëm.
“Në mënyrë definitive, sektori i ndërtimit do të hynte në një krizë të thellë dhe mos harrojmë që është i vetmi sektor që po funksionon sot në Shqipëri. Efekti nuk do jetë më ai që mendohet si rezultat i shumëzimit të thjeshtë matematikor, çmim x 20%, por do jetë akoma dhe më i lartë”.
Vendosja e tvsh-së për ndërtimet është rekomanduar nga FMN. Rekomandimi në fakt parashikon heqjen e tvsh-së, për materialet e ndërtimit, gjë që do të ekuilibronte në një farë mase taksat. Por ndërtuesit shprehen skeptik për heqjen e këtyre taksave. Burime nga Dhoma e Tregtisë shprehen gjithashtu kundër vendosjes së tvsh-së mbi shitjen e ndërtimeve.
Biznesmenët sugjerojnë vendosjen e një norme më të ulët të taksës së tvsh-së mbi shitjen e ndërtesave. Ndërtuesit paralajmërojnë se vendosja e taksës të tvsh-së për ndërtesat, do të komplikonte dhe situatën e shitjeve paraprake. Efekti i kësaj takse do të transferohet tek blerësit, pasi ndërtuesit do të tentojnë të mos cenojnë normën e tyre të fitimit./tvklan.al