Policia e Shtetit ka marrë masa sigurie për mbarëvajtjen e dy ndeshjeve të radhës së kombëtares Shqiptare, të cilat do të luhen më 16 dhe 19 Nëntor në stadiumin Air Albania. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se hyrja në stadium fillon që në orën 18:00.

Nga ana e forcave të rendit u bëhet thirrje tifozëve kuqezi që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë.

Po ashtu policia u bën apel qytetarëve që të kenë kujdes me biletat dhe të mos bien pre e mashtrimeve për t’i blerë ato në tregun e zi. Sipas policisë, çdo biletë është e pajisur me barkod, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga ai që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barkodi nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta.

Në këtë kuadër blutë apelojnë që të distancohen nga aktet e dhunës, pasi në të kundërt do të aplikohet gjobë nga 50 deri në 100 mijë Lekë. Për garantimin e rendit dhe sigurisë policia pritet të angazhojë 1000 forca policie.

Klan News