Portieri shqiptar Alen Sherri kishte një paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen e tretë si titullar me Cagliari-n në Serinë A, duke kontribuar në fitoren 1-0 kundër Hellas Verona.
Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për skuadrën nga Sardenja, që rikthehet te rezultatet pozitive pas pesë ndeshjeve pa fitore.
Për më tepër, Sherri arriti të mbajë portën e paprekur për herë të parë në elitën e futbollit italian, një moment që do të mbetet gjatë në kujtesën e tij. Pas ndeshjes, Sherri reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu lumturinë e tij.
“Shumë i lumtur për fitoren time të parë dhe për ruajtjen e portës së paprekur për herë të parë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Le të vazhdojmë kështu.”
Kjo performancë tregon përkushtimin dhe cilësitë e 25-vjeçarit shqiptar, i cili po përfiton nga mundësia për të treguar vlerat e tij në një kampionat prestigjioz si Seria A. /tvklan.al