Vendimi për t’u bërë nënë është një nga më të rëndësishmit dhe më të bukurit për një grua, por për të gjitha ato që janë në marrëdhënie pune, lindin edhe pikëpyetje. Leja e lindjes i vendos nënat e reja përballë dilemave nëse do ta kenë vendin e punës kur të rikthehen apo do të dëmtohen në karrierë.
Artenisa Ozaj ndan në programin “Rudina” në Tv Klan përvojën e saj. Ajo shprehet se e ka ndier dëmtimin pas rikthimit sepse ishte zëvendësuar në pozicionin e saj në sektorin shtetëror. Për këtë arsye, sipërmarrësja ka nisur një proces gjyqësor.
Artenisa Ozaj: Në fakt, unë në atë periudhë kam punuar në një punë shteti dhe unë kur u riktheva nuk e gjeta më vendin e punës, për hir të së vërtetës.
Rudina Magjistari: Kur u riktheve pas lejes së lindjes?
Artenisa Ozaj: Ekzakt. Nuk e rigjeta më.
Anxhela Peza: Kishe ndenjur shumë?
Artenisa Ozaj: Jo, nuk kisha ndenjur shumë, një vit, thjesht ishte zëvendësuar me dikë tjetër dhe nuk mund të vish më. Sigurisht që unë sot që flasim jam në gjyq, madje do të marr avokaten.
Rudina Magjistari: Vërtet?
Artenisa Ozaj: Po, po. Jam akoma në gjyq sepse jo vetëm që nuk gjeta vendin që duhet të shkoja, por edhe më transferuan që me ligj nuk lejohet të transferohet. Sa kilometra larg është, avokate?
Nexhi Beqiri: Nuk e kam parasysh sa…
Artenisa Ozaj: Është një kaq kilometra që…
Rudina Magjistari: Në mënyrë që ti të tërhiqesh në njëfarë mënyre vetë dhe të mos shkosh.
Artenisa Ozaj: Ekzakt. Por që unë nuk bëra as dorëheqje, thjesht pranova që ata të më çonin diku tjetër dhe unë pastaj i hodha në gjyq sepse ekziston edhe kështu./tvklan.al