Emri i Rezarta Resos të kujton menjëherë programin e famshëm për fëmijë e të rinj, “Libri, miku ynë” të cilin ajo e realizoi për 15 vite. Libri u duk se do ta ndiqte Rezartën përgjatë gjithë jetës. Ishte nëna e saj, shkrimtarja për fëmijë Ivoni Reso që e prezantoi fillimisht me të, më pas vijoi në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë dhe nisi të përkthente, e më vonë shkroi librin e saj.
Libri e ndoqi deri në SHBA ku Rezarta u vendos në vitin 1995 ku ende sot punon si bibliotekare. Emigracioni ishte një rrugëtim aspak i lehtë që ajo e rrëfen në “Rudina” në Tv Klan i cili filloi kur kishte arritur një status në karrierë, shoqëri dhe i duhej të kthehej në pikën zero.
Rezarta Reso: Unë pata një tjetër rrugëtim. Familja ime ishte atje përpara. Në atë kohë filluan për herë të parë ato flukset post-komuniste që u hapën dyert e Evropës dhe Amerika nisi të zbatonte Diversity Visa Program që ishte lotaria dhe mua faktikisht më ra lotaria.
Rudina Magjistari: Që atëherë të ra lotaria?
Rezarta Reso: Po, më ra lotaria ndërsa prindërit e mi shkuan përpara, u bashkuam atje. Gjithçka ishte e vështirë, kam qarë një vit. Nuk e gjeja veten, nuk e dija pse shkova, çfarë do të arrija.
Rudina Magjistari: Ajo që të udhëhoqi ishte thjesht ideja për t’u larguar.
Rezarta Reso: Për t’u larguar, për t’u bashkuar me familjen. Amerika kishte qenë një ëndërr e ndaluar. Nuk është ashtu sepse Amerika vërtet ne e shikonim nëpërmjet filmave dhe televizionit, por është tjetër të jetosh dhe të fillosh një jetë atje nga fillmi. Është tamam ajo shprehja amerikane “të fillosh nga fillimi fare”, sikur s’ke pasur jetë tjetër përpara ndërkohë që unë kisha lënë 31 vjet pas në Shqipëri./tvklan.al