Ujërat e lumit Osum në rrethin e Beratit janë ndotur nga një lëndë helmuese ende e paidentifikuar. Shqetësimin e kanë dhënë vetë banorët e zonës të cilët kanë parë peshq të ngordhur anash dhe mbi ujërat e lumit një ditë më parë, madje një pjesë e banorëve kanë marrë dhe konsumuar nga ky peshk duke rrezikuar shëndetin. Por deri në këtë momente në spital nuk është paraqitur asnjë rast i shkaktuar nga konsumi i peshkut.
Lumi është ndotur vçanërisht në zonën nga Vodica në Uznovë në një gjatësi prej 1.5 km ndërsa peshqit e ngordhur kanë dalë mbi ujë disa km më poshtë. Pas shqetësimit në vendngjarja, ka mbërritur policia, por askush nga autoritetet nuk ka dhënë ndonjë informacion mbi llojin e lëndës helmuese dhe shkaktarët e këtij dëmi ekologjik.
Ndërkohë drejtori i mjedisit në këtë qytet është shprehur se lumi është nën administrimin e bashkisë dhe se nuk ka mundësi për ruajtjen apo identifikimin e llojit të ndotjes. Për ndotjen e lumit Osum ka protestuar edhe Shoqata e Gjuetarëve në këtë qytet. /tvklan.al