Udhëtimi në Pogradec mbetet gjithmonë një kënaqësi, jo vetëm për pushuesit por për çdo kënd që zgjedh ta vizitojë atë. Në prag të këtij sezoni veror, qyteti duket më se gati për të pritur turistët vendas dhe të huaj.
“Më pëlqen shumë Pogradeci se këtu është edhe klimë malore edhe klimë detare, domethënë ka ajër të pastër. Erdha sot prenotova një dhomë dhe do rri 3 muaj, kam qejf të rri 3 muaj.”
Investimet e kryera në rrugë, trotuare dhe ndriçim, shoqëruar me ngritjen e parqeve çlodhëse kanë bërë që infrastruktura e qytetit të jetë e standardeve bashkëkohore.
Erion Vesho: “Kryesisht janë shëtitoret përgjatë bregut të liqenit të cilat tashmë janë kthyer në një koncept komplet të ndryshëm nga rrugët e mëparshme që ishin, janë kthyer në shëtitore të mirëfillta për tu shërbyer qytetarëve.”
Ndërtimit i kolektorit të ujërave të zeza pasuar nga impianti i përpunimit, i ka dhënë fund derdhjes së tyre në liqenin e Ohrit. Bashkë me drenazhimin rërës ky projekt ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme pastërtinë e tij.
“Parvjet kur isha këtu ishte shumë pis Pogradeci si liqen, tani që u bë kolektori që u bë një punë e pastër, rërë s’ka patur fare tani ka rërë, mua po më pëlqen jashtë mase.”
“Liqeni nuk ka më ato që kishte dhe është i pëlqyeshëm nga të gjithë.”
Përgjatë 33 kilometrave të vijës liqenore, janë ndërtuar rreth 170 hotele, me mbi 8 mijë shtretër. Çmimet e dhomave variojnë nga 2 mijë deri në 4 mijë e 500 lek në ditë, një ofertë kjo për të gjitha kategoritë e pushuesve
Erjon Vesho: “Kanë filluar të ndihet disi edhe organizimi i vetë shoqatave të hotelerive më mbështetjen e disa shoqatave të huaja të cilat asistojnë në qytetin e Pogradecit në drejtim të turizmit. Këtë vit besoj se do lobojnë akoma më fuqishëm për të ditur dhe për të dhënë ofertat dhe paketat e tyre turistike më të mira.”
Po aq tërheqëse mbeten edhe rrethinat e Pogradecit. Vizita në këtë qytet nuk do të kishte kuptim pa një shëtitje në parkun e Drilonit, ku harmonizohen në mënyrë përrallore kthjelltësia e liqenit dhe freskia e pemëve.
Bukuria mahnitëse e liqenit të Ohrit, gatimet tradicionale, ku spikatin Korani dhe vera me shije karakteristike, duke mos harruar këtu edhe mikpritjen e vendasve, janë disa nga arsye për ta zgjedhur Pogradecin si destinacionin e kësaj vere./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi