MbetjetMbi 200 drejtues vendorë, kryetarë bashkish dhe komunash në të gjithë vendin janë gjobitur nga Ministria e Mjedisit për mos marrje të masave për menxhimin e mbetjeve urbane.

Me anë të një shkresë të posaçme Ministri i Mjedisit Lefter Koka u  kujtoi drejtuesve vendorë disa muaj më parë detyrat që u ngarkon ligji për pastrimin e territorit të tyre.

Duke parë gjendjen e rëndë të trajtimit të mbetjeve në vend dhe përgjegjësive që ngarkon ligji Ministria e Mjedisit kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për menaxhimin e integruar të mbetjeve në rajonin që administrohet nga çdo njësi vendore.

Më 15 Prill, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit Pyjeve dhe Ujrave nisi inspektimin në terren.

Nga ky kontrroll rezultoi se disa drejtues komunash dhe bashkish të vendit kanë kryer marrjen e masave për menaxhimin e integruar të mbetjeve, por shumë Komuna dhe Bashki të tjera nuk kanë marrë asnjë masë në zbatim të këtij ligji dhe për këtë arsye janë ngarkuar me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë drejtuesit e këtyre njësive duke i penalizuar me gjoba.

Kjo gjobë arrin deri në 500 000 Lekë (të reja). Në njoftimin e shpërndarë për mediat thuhet se dënimet me gjobë nuk janë qëllim në vetvete, as dëshirë apo synim i Ministrisë së Mjedisit, por të detyruar nga gjendja aktuale e mbetjeve në vend.

Në listën e drejtuesve vendorë të penalizuar vendin e parë e mban Qarku i Tiranës i ndjekur nga Fieri, Elbasani, Korça, Gjirokastra etj. Televizioni Klan e ka ngritur disa herë këtë çështje duke sjellë pamje skandaloze të mënyrës së trajtimit të mbetjeve urbane duke apeluar për marrjen e masave për situatën e krijuar. Rasti më i fundit ishte ndotja katastrofale në Liqenin e Fierzës.

TV KLAN