Bregdeti shqiptar është shumë i favorshëm për pushuesit vendas dhe të huaj, por pavarësisht kësaj një studim i kryer nga ministria e Mjedisit tregon se disa zona janë të pa rekomandueshme për t’u frekuentuar nga pushuesit, pasi niveli i ndotjes është tej normave të lejuara nga organizata botërore e shëndetësisë.

Tom Therçaj: “Rezulton se në 11 zona në stacione ku janë kryer monitorimet, treguesit e ndotjes treguesit kimik, bakteriologjik janë mbi normat e parashikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Rekomandohet që qytetarët të mos e frekuentojnë për tu larë, pasi fatmirësisht Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare, një bregdet të mrekullueshëm që shtrihet në rreth 450 km.”

Po cilat janë këto zona? Vetëm në bregdetin e Durrësit janë 6 të tilla, plazhi i Currilave, zona e hekurudhës, Ura e Dajlanit, grykëderdhja e lumit Erzen, zona e Porto Romanos dhe plazhi i Zhiromit. Edhe në zonën e Kavajës plazhi i Golemit dhe plazhi tek vapori i mbytur rezultojnë të ndotur.

Ndërsa në qytetin e Sarandës e vetmja zonë që nuk rekomandohet të frekuentohet nga pushuesit është kanali i Çukës. Përgjatë vijës bregdetare të Vlorës janë dy segmente, ku më problematike mbetet ajo mes Rrapit dhe plazhit të Skelës.

Tom Therçaj: “Plazhit të vjetër në Vlorë dhe të ish-marinës luftarake.”

Por çfarë pasojash sjell frekuentimi i këtyre plazheve tek pushuesit?

Monika Fida: “Sigurisht që një plazh i ndotur shoqërohet me pasoja tek individi dhe kryesisht me pasoja që vërehen me infeksione të ndryshme në lëkurë. Kryesisht moshat më të prekura janë moshat pediatrie dhe të rinjtë adoleshentë. Por tek moshat pediatrie ky ndikim është më i madh.”

Pavarësisht evidentimit të këtyre plazheve të konsideruara si tejet të ndotur në asnjë prej tyre nuk janë vendosur tabela që tregojnë mbi rrezikshmërinë. Mungesa e informimit lidhur me ndotjen e plazheve ka bërë që shumë prej pushuesve të jenë të ekspozuar ndaj rreziqeve të infeksioneve që përhapen nga uji./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami