Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu thotë se një mik i tij, biznesmen ka rënë pre e një mashtrimi ku disa shtetas të cilët i cilëson të panjohur për të, kanë përdorur emrin e tij për t’i marrë para.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku Ndreu shkruan se para disa ditësh, ata e kanë denoncuar këtë situatë dhe është bërë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë.

Në reagimin e tij, Ndreu bën thirrje që nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, të denoncojnë në polici.

“Një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e një mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua kanë përdorur emrin tim për t’i marrë para!  Para ca ditësh ne e kapëm situatën, denoncuam dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë! Nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, ju lutem të denonconi në polici”, shkruan kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në “Facebook”.


/tvklan.al