Dy ditë pas propozimeve të kryeministrit Rama nga Kongresi i Partisë Socialiste për të ndryshuar kabinetin qeveritar, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emrat e rinj të ekzekutivit.

Pas verifikimit, kreu i shtetit ndezi dritën jeshile për shkarkimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm dhe dekretoi emërimin në këtë detyrë të Ervin Hoxhës. Ky i fundit mban postin e kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtes së Territorit, ndërsa më herët ka qenë drejtor i Shërbimit të Provës.

Presidenti Begaj i dha fuqi ligjore shkarkimit të Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe dekretoi në vend të tij Pirro Vëngun, i cili mban ende detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit, i cili ka shërbyer gjithashtu edhe si shef i kabinetit të kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, kreu i shtetit ka dekretuar edhe shkarkimin e Ervin Metes si ministër i Financave dhe emërimin e Petrit Malajt në këtë pozicion. Para pak muajsh, Malaj ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dekretoi edhe shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Shtetit për Parlamentin dhe emërimin e Ballës në këtë post. Pas dekretimeve nga ana e kreut të shtetit pritet që Kuvendi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar ndryshimet e reja në qeveri.

Socialistët kanë mbledhur firmat për propozimin e Elisa Spiropalit si kryetare e re e Kuvendit, pas dorëheqjes për arsye shëndetësore të Lindita Nikollës.

Për miratimin e emrave të rinj të qeverisë nevojiten 71 vota, ndërkohë që Partia Demokratike përmes kreut të grupit kuvendor ka kërkuar që ndryshimet në qeveri të bëhen përmes një debati parlamentar. Menjëherë pas votimit, ministrat e rinj do të betohen përpara kreut të shtetit në Presidencë.


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi sot, më 30 Korrik 2024:

Shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla – Emërimin e Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi – Emërimin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu.

Shkarkimin e Ministrit të Financave, Ervin Mete – Emërimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj.

Shkarkimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali –  Emërimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.


Tv Klan