Teksa po afron 20 Janari, data e inaugurimit të Donald Trump për herë të dytë si President i SHBA-së, autoritetet amerikane kanë nisur tashmë zbatimin e protokollit të sigurisë dhe kanë blinduar zonën përreth Capitol dhe Shtëpisë së Bardhë.

Por ndryshe nga herët e tjera që inaugurimi është bërë në ambient të hapur, kësaj radhe kjo ceremoni ku marrin pjesë mijëra njerëz ka të ngjarë të bëhet në ambiente të mbyllura.

Të paktën kështu raporton rrjeti televiziv amerikan “ABC”. Dhe shkak për këtë ndryshim të planeve është moti i acartë, që ditën e hënë parashikohen temperatura të ulëta. Sipas meteorologëve, në momentin e betimit të Donald Trump temperaturat pritet të jenë rreth -15 gradë Celsius.

I ftohti polar që do të përfshijë Uashingtonin të hënën, pritet të sjellë temperatura që do të jenë më të ulëtat në 40 vitet e fundit.

Ndërsa sipas CNN, parada tradicionale mund të mbahet në stadiumin Capitol One.

Nëse inaugurimi i Donald Trump do të mbahet realisht në ambiente të mbyllura, atëherë kjo do të jetë hera e dytë që ceremonia e betimit të Presidentit të ri amerikan bëhet në këtë formë, pas atij të Ronald Regan në vitin 1985. Edhe në atë rast ndodhi për shkak të motit të ftohtë, kur temperatura ra brenda ditës me 7 gradë.

Tashmë rrugët përreth Capitol dhe Shtëpisë së Bardhë janë mbyllur. Forcat e sigurisë kryejnë kontrolle 4 herë në ditë së bashku me qentë antieksplozivë.

48 km rrugë rreth e përqark janë bllokuar me barrikada, teksa më shumë se 25 mijë policë do të jenë të pranishëm për të ruajtur sigurinë gjatë inaugurimit të Trump.

Masat janë shumë të forta, kjo edhe për shkak të atentatit që iu bë Donald Trump gjatë fushatës presidenciale.

Të gjitha forcat e sigurisë janë urdhëruar që nga kontrollet dhe protokollet e sigurisë nuk duhet të përjashtohet askush.

Donald Trump është Presidenti i 47-t i SHBA-së dhe hera e dytë e tij në Shtëpinë e Bardhë.

/tvklan.al