Kryeministri Nano ka shfrytëzuar mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës për të goditur kundërshtarët e tij brenda Partisë Socialiste. Sipas Nanos, lëvizja e re brenda mazhorancës nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje komuniste, e cila është kundër reformave dhe progresit.

Fatos Nano: “Në Shqipëri sapo ka nisur të kristalizohet edhe lëvizja antiglobaliste me tipare të qarta komuniste e cila po grumbullon rreth vetes edhe qarqe politike që i kundërvihen zhvillimit, investimeve të huaja direkte dhe që kërkojnë izolimin për interesa të vockla. Në 14 vjet pluralizëm Shqipëria nuk mund të mbahet peng e së kaluarës. Verbëria politike dhe etja për pushtet nuk mund të na bëjë të pavëmendshëm ndaj këtyre segmenteve të moszhvillimit dhe përpjekjeve për të frenuar vendimmarrjen për këtë funksion.”

Në mbledhjen e radhës të KRRTRSH-së është miratuar masterplani paraprak i ripunimit të Aeroportit Nënë Tereza. Në masterplan parashikohet, përveç zgjerimit të aeroportit të vetëm të vendit, ndërtimi i një terminali të ri pasagjerësh, vende të reja për parkimin e automjeteve si dhe një terminal i ri për ngarkesat.

Në mbledhjen e sotme u miratua dhe dhënia e lejeve për objektet e aeroportit si dhe projekti i zbatimit të ndërtimit të rrugës Qafa e Kasharit-Rinas, e cila do të lehtësojë lëvizjen drejt aeroportit. Në fillim të këtij viti qeveria shqiptare miratoi dhënien me koncension për një periudhë 20 vjeçare firmës gjermane “Airport Partners” për “Aeroportin e Rinasit”. /tvklan.al