“Jam si mos më keq”
Nëna e dy fëmijëve, Landa Zeneli rrëfeu në emisionin “Historia ime” në TV Klan situatën e vështirë ekonomike dhe shëndetësore që ajo dhe familja e saj janë duke përballuar.
Landa tregoi se para 3 vitesh kuptoi se vuante nga diabeti, por për shkak të vështirësive ekonomike nuk u kujdes për shëndetin e saj dhe si pasojë sëmundja u agravua. Ajo u detyrua të priste këmbën për shkak të diabetit, por në studio tregoi se ka probleme edhe me këmbën tjetër.
Edhe bashkëshorti i saj ka probleme shëndetësore dhe janë dy fëmijët që kujdesen për ta. Djali është vetëm 14 vjeç dhe është detyruar të braktisë shkollën.
Mirela Milori: Ndërkohë ty të shfaqen shenjat e para të diabetit, kur?
Landa Zeneli: Se mbaj mend, para 3 vjetësh mu shfaq diabeti, kam prerë këmbën. Shiko si më është bërë dhe tjetra, të dy duart edhe krahu, më janë bërë të gjitha si mos më keq. Jam me insulina, bëj 24 copë në muaj.
Mirela Milori: Po çfarë shenjash?
Landa Zeneli: Po nga gishti, se këtë këmbën e kam patur sakate. Nga fukarallëku që vuaja, nuk i rashë shëndetit mbrapa, se s’kisha, vuaja jashtëzakonisht nga gjendja ekonomike, pa ngrënë, pa pirë, pa bukë, si mos më keq. U acarua gjendja ime derisa preva këmbën nga diabeti, tani është bërë tjetra, vjell gjak, si mos më keq, e paralizuar jam.
Mirela Milori: Po djali?
Landa Zeneli: Ai është 14 vjeç!
Mirela Milori: Si quhet?
Landa Zeneli: Ervin Zeneli!
Mirela Milori: Më fol pak për Ervinin!
Landa Zeneli: Ervini vazhdoi shkollën, nga gjendja ekonomike e la. Tani që u shfaq kjo gjendja ime është e pamundur, se gjendja ime sa vjen dhe acarohet dhe nuk mundet dot. E kam hequr dhe djalin tani, mbas meje, si mos më keq.
Mirela Milori: Pra ai e ka lënë shkollën?
Landa Zeneli: Po, e ka lënë!
Mirela Milori: E ka lenë shkollën se kujdeset për ty?
Landa Zeneli: Po për mua dhe për të atin!/tvklan.al