Me fotografinë e djalit në duar, Angelini dhe Florina iu bashkuan për herë të tretë protestës së prindërve dhe shoqërisë civile.
Florina me lot në sy kërkon dorëheqjen e të gjithë përgjegjësve që nuk mundën të ndalnin krimin e rëndë. Një akuzë adresoi edhe në drejtim të ministres se Arsimit.
Florina Cani, nëna e 14-vjeçarit: Kush ishte ai që nuk e mbrojti Martinin, dua të japin të gjithë dorëheqjen, ishte një fëmijë i buzëqeshur e kam në çdo moment buzëqeshjen e Martinit. Nuk jam vetëm nëna e Martinit sot, të mbrohen të gjithë Martinët e tjerë, zemra ime është e thyer. Dua dorëheqjen e ministres, mësuesja nuk më tha asnjë fjalë. Ku ishte mësuesja, nuk mendoj se nuk do të kishte një parandalim për ata fëmijë, parandalimi vjen tek dera e shkollës, nuk bënë asgjë për Martinin dhe, dorëheqje nga dera e shkollës deri në ministri.
Të njëjtin apel bëri dhe babi i të miturit, Angel Cani teksa kërkoi drejtësi nga autoritetet per zbardhjen e plotetevrasjes.
Angel Cani, babai i 14-vjeçarit: Drejtësi kërkojmë për Martinin sepse na iku një engjëll, krenaria jonë.
Protesta e organizuar nga prindër dhe përfaqësues të shoqërisë civile nisi në shkollën Fan Noli. Ata ndezën qirinj në kujtim të nxënësit 14-vjeçar. Me pankarta në duar ku kërkonin drejtësi, ata marshuan drejt ministrisë së Arsimit.
Ata i kanë drejtuar disa kërkesa ministrisë së arsimit që kanë për qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë në shkolla si dhe dorëheqjen e ministres Manastirliu.
Me herët, prindërit e nxënësit të vrarë kërkuan ndihmën e ambasadores amerikane Varnhorn që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Klan News